Rreth 350 kilometra është kufiri mes Kosovës dhe Serbisë e cila shpesh shndërrohet në arenë shfaqjeje për Beogradin që ka ngritur 48 baza ushtarake e që nxjerrë ushtrinë për të mbajtur nën presion Prishtinën zyrtare.
Për sigurinë e kufijve të Kosovës nga vitit 1999, bazuar edhe në Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës, përgjegjës mbetet KFOR-i.
Nën dritën e zhvillimeve të reja të sigurisë, KFOR vijon të luajë rolin e tij dhe të ushtrojë mandatin e OKB-së për një vend në paqe dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne bashkë me batalionin e ushtrisë italiane në kuadër të këtij misioni do të patrullojmë rreth kufirit me Serbinë.
A2 CNN ishte në patrullimin që u bë në zonën veriore të Komunës së Istogut që gjendet në kufi me Serbinë në një territor malor.
Para se të nisë patrullimi, komandanti i njësisë jep udhëzimet e qarta për të gjithë ushtarët e tij.
“Përpara se të nisim me kryerjen e detyrave tona, mbledh të gjithë ushtarët dhe i përditësoj me informacionet e fundit dhe të gjitha udhëzimet e nevojshme për të përmbushur misionin tonë, duke përfshirë rrugët që do të ndiqet dhe pikat e planifikuara të vëzhgimit. Pas kësaj ne fillojmë lëvizjen me mjetet përgjatë itinerarit të përcaktuar në zonën tonë të caktuar”, tregon Salvatore Naso, Kapiten, Komandant i Kompanisë Së Komandës Rajonale Perëndim (KFOR).
Para nisjes, ushtarët vënë helmetat e përshtatshme dhe lëvizja fillon vetëm pas urdhrit të komandantit.
Rruga deri në pikën ku KFOR ka mandatin të patrullojë kalohet vetëm me mjete të veçanta si këto ushtarake.
Situata është e qetë, por kjo nuk e ul vigjilencën e ushtarëve të KFOR-it të cilët lëvizin ngadalë dhe mbikëqyrin terrenin nga mjetet e tyre. Pas 40 minutave rrugë nga pika e takimit tonë me ushtarët, mbërrijmë në kufirin me Serbinë e cila shënohet me një tabelë të KFOR-it.
“Këtu jemi vetëm në një nga pikat që shënon kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e cila kontrollohet nga trupat e KFOR-it, misionit të NATO-s që kujdeset për të gjithë rrezen e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Këtu siç mund të shihni ka edhe një gropë të madhe e cila shërben për të parandaluar kontrabandën ose kalimet ilegale të kufirit. Kjo tabelë këtu shënon edhe fundin e përgjegjësisë së KFOR-it”.
Ushtarët udhëzohen në disa pika për të bërë një vëzhgim të situatës në kufirin me Serbinë. Por çfarë ndodh në rast se ushtarët vërejnë ndonjë zhvillim dhe tensionim të situatës?
“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, i cili punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit i njohur si EULEX, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë, respektivisht. Thënë kështu, nëse ndodh të kemi një zhvillim, ne vlerësojmë menjëherë situatën dhe lajmërojmë zinxhirin tonë komandues. Veprimet tona pastaj varen nga natyra e ngjarjes. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide të mundshme, duke përshtatur edhe pozicionin tonë sipas nevojës, në përputhje edhe me mandatin tonë të OKB-së”, tregon Naso.
Megjithatë, në rast nevoje, kapiteni Naso tregon se kush do t’ju vinte në ndihmë menjëherë.
“Këmbësoria dhe forcat e tjera qëndrojnë gati për të na mbështetur. Për më tepër, kemi mbështetjen e Policisë së Kosovës, me të cilën punojmë në koordinim të ngushtë për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Patrullimet në kufi KFOR i realizon edhe me Policinë e Kosovës dhe me ushtrinë serbe.
“Ne kryejmë patrullime të ndryshme, duke përfshirë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës, dhe patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative me Forcat e Armatosura Serbe, me secilën njësi në anën e saj”, u shpreh Naso.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, KFOR-i dhe EULEX-i i kanë transferuar gradualisht përgjegjësitë për kontrollin e zonës kufitare me Serbinë te Policia e Kosovës.
“Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i ngushtë dhe efektiv. Zakonisht caktojmë një pikë takimi dhe më pas lëvizim përgjatë rrugës së planifikuar, duke ndarë qëllimin e përbashkët për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes brenda zonës sonë të përgjegjësisë, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thekson Komandanti.
Pas ngjarjes së Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar, KFOR ka shtuar patrullimet në kufi me Serbinë sikurse edhe numrin e ushtarëve që patrullojnë.