Në tri komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, protestat e serbëve lokalë po vazhdojnë edhe sot.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se aktualisht situata është e qetë.
Kelani ka shtuar se monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në këto komuna.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdonë angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore.
Referuar zhvillimeve në veri të vendit, ka bërë që situata të jetë e tensioniar dhe e brishtë, por sot aktualisht situata është e qetë. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në komunat veriore”, ka deklaruar Kelani.
Ndryshe, serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në këto komuna, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.