“Në ishullin e Kretës, 300 komunistë grekë vranë dhe dogjën 14 nacionalistë kosovarë”. Masakra e panjohur e 9 majit 1947, që u mbajt e fshehtë nga Enver Hoxha!
Në mesin e shumë masakrave që kanë kryer serbët, malazezët dhe grekët, që asnjëherë nuk u ngopën me grabitjen e tokave shqiptare, hyn edhe Masakra e komunistëve grekë, më 9 maj të vitit 1947, në Kretë të Greqisë.
Kjo masakër është ndër më të veçantat për llojin e krimeve e masakrave të kryera.
Është e veçantë për faktin se ata shqiptarë atdhetarë, që ishin antikomunistë të përbetuar, kishin marrë strehim politik në Greqi.
Por, greku s’ka besë, e proletarët komunistë gjithherë kanë bashkëpunuar në mes vete, siç ishte edhe ky bashkëpunim në mes komunistëve grekë, jugosllavë dhe shqiptarë, për vrasjen e nacionalistëve atdhetarë nga Kosova.
Shumica nga familjarët e të vrarëve nuk e kanë ditur dhe nuk mund ta dinë edhe sot, se ku ju janë vrarë familjarët e tyre, e mos të flasim për varret e tyre dhe vendin se ku janë gjuajtur pas vrasjes së tyre, që u ka humbur çdo shenjë.
Nga rrjedhin të dhënat?
Materiali është marrë nga Arkivi i Kapidan Ndue Gjon Markut, që është edhe arkivi i “Bllokut Kombëtar Indipendent”.
“Më 9 maj të vitit 1947, në orën 4 pas mesnate, në qendrën e Nënprefekturës Fera Petra në Kretë, një batalion i komunistëve grekë, rrethojnë shtëpinë ku flinin 28 shqiptarë nga Kosova, emigrantë politikë. Shqiptarët ishin vendosur në këtë vend prej autoriteteve greke dhe merreshin me punë bujqësie, pranë familjeve greke të vendit.
Në këtë mënyrë, ata siguronin shpenzimet e jetesës së tyre.
Natyrisht, nuk kishin asnjë lloj arme. Nuk kishin asnjë mbrojtje të posaçme nga ana e autoriteteve vendore.
Natën e 9 majit 1947, batalioni i komunistëve grekë, i përbërë prej më shumë se 300 vetash, nisi ta rrethojë ndërtesën e nënprefekturës, kazermën e korofillakavet dhe mbasandej shtëpinë ku flinin.
Mbasi e plotësojnë rrethimin mirë, fillojnë sulmin. Patrullat komuniste u lëshojnë zë shqiptarëve dhe kërkojnë t’u hapin portën e shtëpisë dhe të dorëzohen të gjallë.
Mirëpo, nuk shkon shumë kohë dhe patrulla komuniste greke fillon të zbrazë armët kundër shtëpisë dhe përpiqen që të thyejnë portën e të hyjnë brenda.
Shqiptarët, kur e panë se po rrezikoheshin, filluan të luftojnë kundër komunistëve grekë.
Megjithatë, ata nuk kishin armë të tjera, përveç trimërisë personale, zëmrës dhe idealit të tyre.
Sidoqoftë, i kishin veglat e punës: shatër, lopata, kazma, sëpata…
Ndërkaq, filluan të vriten prej plumbave të grekëve antikomunistët e parë: Jonuz Emini, kryetar i grupit, Idriz Sallova, Latif Kuqi, Riza Matoshi, Zejnel Mehmeti, Qerim Hajdari e Halil Idrizi.
Por, edhe nga ana e komunistëve mbetën pesë të vrarë e disa të plagosur, që tërhiqen e largohen.
Dhe, duke parë se shqiptarët nuk dorëzoheshin, komunistët grekë i vënë zjarrin shtëpisë, duke ndezur disa fuçi me benzinë.
Ndërkohë, duke kaluar përmes zjarrit e flakëve, Osman Sinani sulmon i pari, duke dal jashtë shtëpisë. Dhe, në shpejtësi ia merr armën një komunisti grek, të cilin edhe e vret.
Por, pas pak, ai (Osman Sinani) bie mbi tokë i vrarë, duke thirr: “Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Kosova!”.
Si rrodhi ngjarja tutje?
Pas Osmanit, sulmon vëllai i tij, Bajram Sinani. E, fill pas tij Isak Ahmeti, Haxhi Halili, Banush Berisha, Bajram Berisha, Kadri Berisha, Mustafa Bajraktari, Ahmet Uka, Fiqri Sejda dhe Hidajet Arifi.
Këta, për çudi, shpëtojnë nga flakët e plumbat e komunistëve grekë…
Ndërkohë, plagosën rëndë: Qerim Ibrahimi, Bajram Gorani, Hysen Rama, Nazif Vata, Nazif Varoshi, Aziz Murati dhe Istref Selmani.
Prej këtyre, të plagosurve, tre të parët, Qerim Ibrahimi, Bajram Gorani dhe Hysen Rama vdiqën pak më vonë.
Mirëpo, kishin mbetur brenda në shtëpi, nën flakët e mëdha: Xhemal Matoshi, Rexhep Gashi dhe Ymer Sakoli.
Bajram Sinani, njëri ndër ata që shpëtuan prej zjarrit, futet në shtëpinë e priftit, por për fat të keq edhe këtu e rrethojnë armiqtë.
Por, shpëton duke u hedhur prej dritares dhe fshihet në një vend të sigurt.
Vlen të thuhet se asnjë shqiptar nuk u dorëzua i gjallë…
Sidoqoftë, lajmi i hidhur i vrasjes tragjike të shqiptarëve nga Kosova shkaktoi te të gjithë të mërguarit shqiptarë një dëshpërim të patregueshëm.
Si përfundim…
Në këtë masakër, që e kryen komunistët grekë më 9 maj 1947 në Kretë, ranë heroikisht 14 atdhetarë shqiptarë: Jonuz Emini, kryetar i grupit, Idriz Sallova, Latif Kuqi, Riza Matoshi, Zejnel Mehmeti, Qerim Hajdari, Halil Idrizi, Osman Sinani, Qerim Ibrahimi, Bajram Gorani, Hysen Rama, Xhemal Matoshi, Rexhep Gashi, Ymer Sakoli.
Ndërkaq, u plagosën rëndë: Nazif Vata, Nazif Varoshi, Aziz Murati dhe Istref Selmani.
Me plagë të lehta ishin: Bajram Sinani, Isak Ahmeti, Haxhi Halili, Banush Berisha, Bajram Berisha, Kadri Berisha, Mustafa Bajraktari, Ahmet Uka, Fiqri Sejda dhe Hidajet Arifi.
Sidoqoftë, kjo ishte tragjedia e 28 shqiptarëve të Kosovës, ku 14 prej tyre u vranë, u dogjën dhe u masakruan nga komunistët grekë.
Për të tjerët që shpëtuan nuk dihet për fatin e tyre të mëtutjeshëm…
Sidoqoftë, masakrën e komunistëve grekë mbi kosovarët e mbajti fshehtë gjatë gjithë regjimit komunist Enver Hoxha!