Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, i dha Çmimin Gruaja e Guximshme gazetares Venera Xhoxhaj-Adili, e cila u sulmua në Veri teksa ishte duke raportuar për trazirat në qershor të vitit të kaluar.
Hovenier ka përmendur edhe punën e saj “në mbështetje të ndërgjegjësimit për komunitetet e margjinalizuara anembanë Kosovës”.
Venera Xhoxhaj-Adili ishte e ftuar në Euronews Albania ku ka treguar vështirësitë raportimit, një vit më parë në Veri të Kosovës.
Ajo thotë se kanë parë momentet që janë sulmuar të gjithë gazetarët, ndërsa përpiqet që ato situata të mos i kujtojë shpeshë.
“Ne punojmë për ta bërë punën më së miri si gazetarë dhe nuk punojmë për të tjerat. Vitin e kaluar në Veri gjatë sulmit në Banjskë, ato ditë kanë qenë shumë të tensionuar. Shpeshëherë para meje janë sulmuar ekipet e mediave jo vetëm të Kosovës por dhe të tjerët në forma shumë të rënda.
Ka qenë një situatë që ne e kemi ditur nivelin e rrezikut dhe të tensionimit që po ndodh. Ne kemi parë goditje dhe fyerje nga distance shumë të ashpra. Ndihem mirë që pas asaj që ndodhi jemi këtu ku jemi. Ne përmbushëm misionin dhe treguam për gjendjen që ishte atje”-tha ajo.