Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se nuk mund të tregojë se si janë vrarë tre pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulm ndaj Policisë në Banjskë më 24 shtator.
Mirëpo, Hoxha nuk e ka përjashtuar mundësinë që të njëjtit të jenë qëlluar me snajper apo armë të shkurtra. Hoxha ka thënë se për momentin kjo duhet të mbahet sekret për shkak të ndjeshmërisë së operacionit dhe sigurisë së personelit policor.
“Kjo është çështje sekrete për momentin, por mund të jenë vrarë prej armëve të shkurtra, snajperit, është ballafaqim me armë zjarri që për momentin duhet ta mbajmë sekret për shkak të ndjeshmërisë së operacionit dhe punës”, ka thënë Hoxha.
Hoxha tha se Policia nuk ka shtënë në drejtim të manastirit, por jashtë perimetrit të tij. Ai tregoi edhe se ku janë gjetur trupat e terroristëve.
“Tre trupat janë gjetur në pozicione të ndryshme, rreth objektit të manastirit. Duhet pasur parasysh që ka qenë një direktivë e jona për të pasur kujdes gjatë përdorimit të armëve, forcës vdekjeprurëse, së pari të kemi kujdes që të mos ketë lëndime të civilëve, të pelegrinëve dhe personelit të manastirit që ishin brenda dhe të ketë kujdes që të mos dëmtohet manastiri si objekt i trashëgimisë kulturore fetare”- ka thënë Hoxha.
“Policët tanë nuk kanë shtënë në drejtim të manastirit, të shtënat janë bërë jashtë perimetrit të manastirit. Ata janë vrarë në afërsi të manastirit, pastaj te lokalet poshtë janë qëlluar, mund të kenë lëvizë pastaj sepse në ato momente edhe mund të ketë lëvizje të personave të plagosur deri në një zonë të caktuar, mirëpo dy trupa janë gjetur natën e 24 shtatorit, ndërsa tjetri është gjetur të nesërme afër manastirit”- thekson ai..