Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Sigurohen zyrat për votim pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri më 21 prill

 
   

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë siguruar zyrat për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat veriore.

Përveç kësaj, në mbledhjen e KQZ-së me 11 vota pro u votua për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, kështu duke e çuar në 52 numrin e partive të përgjithshme në vend.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj prezantoi raportin lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Ai tha se ky proces do të mbahet në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

Ahmetaj theksoi se nga raporti i bërë rezulton se në Komunën e Mitrovicës së Veriut, zyra është e demoluar dhe nga aty do të lëvizet gjithë materiali i dëmtuar dhe ai i cili është në përdorim. Ai shtoi se në Zubin Potok materialet pothuajse nuk janë gjetur, derisa për atë të Zveçanit tha se një pjesë e materialeve janë të përdorshme. Ndërkaq, për zyrën në Leposaviq tregoi se është e pa dëmtuar dhe të gjitha pajisjet janë funksionale.

Ahmetaj: Në Komunën e Mitrovicës së Veriut zyra është e demoluar

“Në kuadër të funksionalizimit të zyrave të komisioneve komunale të zgjedhjeve në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicës së Veriut tashmë zyrat janë funksionale dhe zyrtarët e caktuar në këto komuna janë vendosur dhe veprojnë nga zyrat nëpër secilën komunë… Zyra në Leposaviq është e pa dëmtuar dhe të gjitha pajisjet janë funksionale dhe nga aty mund të funksionojë KKZ-ja…Nga këto raporte rezulton se në Komunën e Mitrovicës së Veriut zyra është e demoluar dhe nga aty do të lëvizet gjithë materiali i dëmtuar dhe ai i cili është në përdorim. Në Zubin Potok materialet pothuajse nuk kemi gjetur asgjë në atë zyrë, sikur që është shprehur edhe në raport. Kurse, në Zveçan një pjesë e materialeve janë të përdorshme dhe mund të përdoren për këto procese zgjedhore”, tha Ahmetaj.

Lidhur me prezantimin e këtij raporti, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi ka pyetur Ahmetajn nëse në zyrat e komunave të përmendura janë shkatërruar edhe materialet e shkruara arkivore. Derisa Ahmetaj potencoi se në zyrën e Zubin Potokut, nuk ka pasur asnjë material.

Për këtë, Kurteshi tha se mund të konsiderohet si vepër penale, ngase sipas tij çdo i punësuar në institucionet shtetërore, me rastin e dorëheqjes duhet ta bëjë edhe një raport me punëdhënësit për dokumentet e pranuara dhe nëse nuk i dorëzon në mënyrën e rregullt pajisjet, zyrën dhe dokumentet, i njëjti duhet të ndëshkohet.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se raporti duhet të plotësohet, derisa specifikoi atë të zyrës në Komunën e Mitrovicës Veriore. Ai tregoi se ish-zyrtari, atë ditë kur i është kërkuar çelësi, nuk e ka sjellë çelësin dhe ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që sipas tij kjo ka bërë që të rrezikohet jeta e zyrtarëve atë kohë.

Krasniqi iu drejtua Ahmetajt lidhur me këtë duke i thënë se është përgjegjësi e kryeshefit që lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me pronën publike, me pajisjet e KQZ-së në këtë rast të përcillen me kujdes. Ai tha se mos dorëzimi i çelësit të zyrës, rasti duhet të hapet në polici.

Krasniqi: Nëse nuk i ka dorëzuar çelësat duhet të hapet rast në polici

“Raporti duhet të plotësohet sidomos i Mitrovicës së Veriut ju e dini që aty ka ndodhur një akt terrorist, në këtë drejtim kriminal dhe ka njerëz të akuzuar për këtë çështje. është një fakt tjetër. Ish zyrtari, atë ditë kur i është kërkuar çelësi, nuk e ka sjellë çelësin ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo ka bërë që të rrezikohet jeta e zyrtarëve atë kohë edhe zyrtarëve policor…Ky zyrtarë qëllimshëm nuk i ka dhënë çelësat për të mundur ne të kemi qasje edhe tash ka pretenduar që t’i mbajë çelësat. Unë mendoj se është përgjegjësi e juaja, e jotja si kryeshef dhe e tjerave që janë nën menaxhimin tuaj, që çështjet që kanë të bëjnë me pronën publike në pajisjet e KQZ-së në këtë rast, nuk janë çështje për diskutim… Nëse nuk i ka dorëzuar çelësat duhet të hapet rast në polici dhe duhet të bëhet përgjegjës edhe për rastin kur ka ndodhur”, tha Krasniqi.

Përveç kësaj , në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ-ja me 11 vota pro votoi për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar me akronimin (PBKDSH).

Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala tha se me 26 shkurt të këtij viti, kjo parti e cila udhëhiqet nga Nikollë Perkaj ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim.

Buzhala potencoi se me dorëzimin e dokumentacioni në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin prej ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullores zyra i rekomandon KQZ-së për aprovimin e kërkesës për regjistrim të kësaj partie.

Buzhala: Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka dorëzuar dokumentet për regjistrim

“Me datën 26 shkurt 2024 një iniciativë politike e quajtur Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar me akronimin PBKDSH e cila udhëhiqet nga Nikollë Perkaj ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim të kësaj partie politike. Pas pranimit të aplikacionit dhe materialeve tjera, zyra i ka shqyrtuar të gjitha dokumentacionit dhe i ka kërkuar kësaj iniciative për korrigjim të dokumenteve ose plotësim të tyre. Gjithashtu pas plotësimit të këtyre dokumenteve, iniciativa politike ka paguar edhe taksën ën vlerën prej 500 eurove që është kërkesë për regjistrim. Pas këtyre veprimeve, gjithë dokumentacioni i zyrës për regjistrim është publikuar në faqen e KQZ-së…Pas i gjithë dokumentacioni i dorëzuar është në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin prej ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullores numër 1-2024, zyra i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për aprovimin e kërkesës për regjistrim të partisë politike me emrin Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar. Nëse aprovohet kërkesa kjo parti politike regjistrohet në regjistrin e partive politike me numrin rendor 52”, potencoi Buzhala.