Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sindikata e Minatorëve të Trepçës: Shantazhet dhe kërcënimet nuk po ndalen

 
   

Kundër vendimit të menaxhmentit të Trepçës për suspendimin nga puna të kryetarit të sindikatës të punëtorëve, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator, ka dalë sindikata e pavarur e kësaj ndërmarrjeje.

Ata përmes një reagimi kanë thëne se minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, dhe se shantazhet dhe kërcënimet nuk po ndalen.

“Sot si asnjëherë tjetër është vërtetuar se Trepça SH.A. dhe Minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, qoftë President i Republikës së Kosovës, Kryeministër, Deputet, Ministër, Kryetar Komune, Shkenctar, Publicist, Analist, Sportist apo çkado tjeter”, thuhet në reagimin e sindikatës.

“Trepça dhe minatorët qenkan të një rëndësie të veçantë vetëm për konsum publik, ndërsa jeta e minatorëve, paska vlerën e një lecke që nuk vret veshin e askujt dhe se prek zemrën e asnjë qytetari të këtij vendi”.

Tutje ata kanë adresuar kritika edhe për Qeverinë, Presidencën e deputetët e Kuvendit.

“Ndoshta në një të ardhme, kur të fillojë viti zgjedhor, do të gjeni forcën, motivin dhe interesin tuaj për të na vizituar e treguar përralla, se si ju keni interesin dhe dashurinë ndaj minieres dhe minatorëve. Si ju jeni lokomotiva e shoqërisë dhe jeni meritorë”.

Menaxhmenti i Trepçës sot ka marrë vendim që të suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës së punëtorëve Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.