Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sindikata e Policisë kërkon pagesat e vonuara për orët shtesë

 
   

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë, duke theksuar se kjo ka krijuar vështirësi për mirëqenien e tyre dhe ka ndikuar në planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale.

Në prag të festës së Fitër Bajramit, sindikata thekson se policët ende nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është thelbësore për realizimin e angazhimeve të përditshme. “Kjo ka krijuar pasiguri dhe ka penguar zhvillimin e aktiviteteve të përditshme të zyrtarëve policorë,” thuhet në reagimin e Sindikatës, duke theksuar se, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga ana e Qeverisë për këtë çështje.

Kjo organizatë kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura për të siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë. “Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e policëve në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike,” theksohet në reagimin e Sindikatës.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar se do të ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e zyrtarëve policorë deri në realizimin e pagesës së plotë të të gjitha kompensimeve të papaguara.