Sindikata e Re e KEK-ut, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës dhe Sindikata e Minatorëve të Trepçës, kanë shprehur shqetësimet e tyre kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) lidhur me disa vendime sa i përket punësimeve.. Në konferencën për media drejtues të këtyre sindikatave ka përmendur edhe dy kontrata që sipas tyre janë kundër statutore, për çka kërkojnë të ketë procedura të rregullta.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Selatin Sadiku në këtë konferencë për media tha se me ardhjen e kryetarit të BSPK-së Atdhe Hukolli kanë pasur vetëm probleme dhe “mashtrime”, ku sipas Sadikut në platformën E-Kosova kanë pasur shumë probleme sa i përket pagesave për anëtarësi.
Sadiku: Shqetësimet tona lidhur me BSPK
“Ju kemi ftuar që t’i paraqesim shqetësimet tona lidhur me konfederatën BSPK, nga ardhja e Atdhe Hykollit kryetar i BSPK-së me 2 tetor të viti 2021 deri të premten që është mbajt një Këshill drejtues online me datën 19.04.2024. Me ardhjen e Atdhe Hykollit kryetari i BSPK-së me një vendim të Qeverisë së Kosovës na është dashur që t’i ri-regjistrojmë shoqatat sindikale, federatat po ashtu edhe BSPK-në, me një arsyeshmëri se ka federata që njerëzit nuk e përfaqësojnë askënd në zhvillimet të cilat janë bërë pas luftës në Kosovë. Me atë jemi pajtuar edhe ne federatat, edhe e kemi bërë një punë 6-mujore, të mundimshme e boshe. Vendimi i dytë që është bë me ardhjen e Atdhe Hykollit, është platforma E-Kosova, një platformë online për ndalesa sindikale(mjetet financiare). Për këtë janë shkel ligjet e Republikës së Kosovës në fuqi për organizimin sindikal, kjo formë e aplikimit sindikal bëhet veç në shtete diktatoriale siç është Turqia dhe Kosova në Evropë, askund tjetër nuk bëhet. Kjo është bërë me të vetmin qëllim që kryetarët e federatave me kryesitë e tyre të merren nga pika zero, të merren me anëtarësime të reja dhe të mos ketë askush kohë që të merret me kryesinë dhe kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin”, tha Sadiku.
Më tej Sadiku tha se në BSPK, janë të punësuar edhe pensionistë të cilët, sipas tij, marrin pagë marramendëse që nga ardhja e kryetarit Hykolli në këtë institucion.
Sadiku: Jemi të shqetësuar për punësimin e një pensioniti në BSPK
“Shqetësimet e mia me kryetarin Hykoli dhe zhvillimet në BSPK i kamë paraqit menjëherë me datën 30 maj, ku kamë kërkuar që: E nderuar kryesi e BSPK-së ju njoftoj që sot isha në BSPK dhe një punë paraqitet një pensionist, Ali Caka i cili sipas fjalëve qenka zgjedh këshilltar nga jashtë i kryetarit Hykolli. Pastaj kemi gjetur të dhëna që Ali Caka e ka kontratën e dytë të cilën e ka nënshkruar me BSPK-në e deri më sot nga ardhja e Atdhe Hykollit kryetar, Ali Caka nga BSPK-ja merr pagë 12 mijë e 500 e 40 euro, një pensioner”, u shpreh Sadiku.
Sadiku pati kritika edhe për një zyrtare tjetër të punësuar në BSPK.
Sadiku: Reja e Ymerit e punësuar në BSPK
“Kontrata e dytë të cilën e posedon kryesia ekzekutive e BSPK-së është Fitore Osmani, ajo është reja e Ymer Ymerit anëtarit të kryesisë të SBSHK-ut. Ajo deri më sot nga maji i vitit të kaluar merr nga BSPK-ja 4 mijë e 200 e 10 euro, kurrë këmba e saj nuk ka shkel në BSPK, kurrë nuk ka qenë prezentë as nuk e njeh askush”, theksoi Sadiku.
Ndërsa, Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së, i bënë thirrje që sindikata të ndjek rrugët ligjore.
Gashi: Dy kontrata të paligjshme kundër statutore
“Shokuese ka qenë kur ne arrijmë që t’i sigurojmë dy kontrata të paligjshme kundër statutare të lidhura mes Atdhe Hykollit dhe zotëri Ali Cakaj. Dëshiroj që të ju them që kjo kontratë është e lidhur më 1 shtator 2023, lidhur më këtë kontratë Kryesia e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës nuk ka qenë i informuar edhe pse në bazë të statutit është i obliguar që kryetari në rast që kërkohet ndonjë ekspert ta informojmë kryesinë që ta miratoj vendin e punës dhe paraprakisht të ndiqen rrugët dhe procedurat ligjore. Askush nuk mundë që të punësohet pa procedura të revoltimit, nuk mund të punësohet pa kritere. Për sqarim, Atdhe Hykolli, zotërin Cakaj e paguan, e për të cilën ne nuk e kemi asnjë dokument, as një të dhënë, nga muaji katërt i vitit 2022 dhe gjatë pyetjeve tona kohë pas kohe se kush është ky zotëri ai na prezantohet si një bashkëpunëtor i tij me hartimin e një libri universitar që ishte duke hartuar zotëri Hykolli. Dhe asnjëherë nuk e ka pranuar që i njëjti është këshilltar apo ndonjë funksion tjetër. Kurse në anën tjetër ai e paguan me një pagë “bajagi” shumë të “majme”, tha Gashi.