Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sisi thotë se Egjipti po përpiqet ta sigurojë një armëpushim në Gazë

Egjipti është duke bërë përpjekje të mëdha për ta arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave dhe për t’i lejuar të zhvendosurit në jug të enklavës të shkojnë në veri, tha të premten presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.

Sisi paralajmëroi për rrezikun e pushtimit të mundshëm të qytetit Rafah, në kufirin e Gazës me Egjiptin, ku besohet se janë strehuar 1.5 milion palestinezë

Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

“Ne jemi ende duke biseduar për arritjen e një armëpushimi në Gazë, pra ndalje të luftimeve, për të ofruar sasi të mëdha të ndihmave”, tha Sisi.

Kjo do të përfshinte edhe “kufizimin e ndikimit të kësaj urie tek njerëzit, si dhe lejimin e njerëzve në qendër dhe jug të zhvendosën drejt veriut, me një paralajmërim të fuqishëm kundër pushtimit të Rafahut”.

“Ne kemi paralajmëruar se çfarë po ndodh dhe se mosdërgimi i ndihmave çon drejt urisë absolute”, tha Sisi.

Egjipti, i cili druhet nga zhvendosja e palestinezëve të grumbulluar në afërsi të kufirit të tij, është duke bërë përpjekje, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, ta ndërmjetësojë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshja do të përfshinte edhe lirimin e pengjeve izraelite në shkëmbim të të burgosurve palestinezë.

Të enjten, Egjipti i bëri thirrje Izraelit t’i hapë pikëkalimet kufitare tokësore me Gazën, për të lejuar futjen e më shumë ndihmave.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./REL