Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka bërë që komuniteti ndërkombëtar javëve të fundit ta ketë si temë diskutimi në shumë takime të ndryshme.
Për këtë çështje do të diskutohet sot në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Kosovën
Siç u bë e ditur në njoftimin për media, presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
E për situatën mes Kosovës dhe Serbisë pas 24 shtatorit, do të diskutoj sot edhe Këshilli i Jashtëm i BE-së, në takimin që do të zhvillojnë në Luksemburg.
Në takimin që do të nis në orën 08:30, do të diskutohet për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
“Sipas çështjeve aktuale, Këshilli do të prekë, ndër të tjera, situatën mes Serbisë dhe Kosovës, Kinën dhe Sahelin”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se pas incidenteve të dhunshme që u zhvillua më 24 shtator në veri të Kosovës, BE-ja u ka kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kujtojmë se pesëshja diplomatike e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së qëndroi për vizitë në Prishtinë dhe Beograd, pas agresionit të grupit kriminal serb me datën 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, për media u deklarua Lajçak, i cili tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.