Neki Hoti nga fshati Ratkoc i komunës së Rahovecit ka vendosur të kthehet në Kosovë, një vit pasi shkoi për të jetuar dhe punuar në Gjermani.
Por, çka e shtyu Hotin, i cili është kushëri i ish-kryeministrit, Avdullah Hoti që të kthehet në Kosovë.
Në një bisedë për indeksonline , ai ka bërë me dije se këtë të diel është kthyer në vendlindje.
“Kam qëndru një vit në Gjermani. Që nga muaji prill kam qenë duke e mëndu që të kthehem në Kosovë, pasi e kam pa që nuk është kurrfarë jetesë dhe kam vendos me u kthy”, rrëfen Hoti.
Familja ai thotë se e ka pritur pozitivisht vendimin e tij për t’u kthyer në Kosovë.
Më tutje ai thotë se fillimisht e ka bërë plan që t’i marr edhe fëmijët në Gjermani, por i zhgënjyer me jetesën atje, ka vendosur që mos t’i marr dhe të kthehet edhe vet përfundimisht në Kosovë.
Hoti tani menjëherë është rikthyer në firmën të cilën punonte edhe më parë.
“Met tregu drejtën 1 mijë euro rrogë këtu. Edhe atje dilsha kështu, por shumë stres. Jeta këtu më e mirë. Këtu kam punu mbi 17 vite, atje kam shku në tetor vitin e kaluar. S’ka më Kosovë. Pa kurrfarë stresi”, ka treguar Hoti.
Gjermania është ndër vendet e pakta që u mundëson qytetarëve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, që të pajisen me viza pune, pa pasur nevoje për ndonjë kualifikim.