Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde po vazhdon me eksplorimin e bukurive të Kosovës dhe promovimin e tyre.
Ai gjatë ditës së djeshme së bashku me një grup prej disa personave kanë ngjitur majën e Kobilicës në lartësinë 2528 metra, e cila gjendet në kufi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbi malin e Lubinjës në Malet e Sharrit.
Në një postim në “X” ambasadori gjerman ka ndarë një video nga kjo eksperiencë të cilën e ka quajtur si të mahnitshme.
“Ecje fantastike me shoqëri të mahnitshme dje! Këtë herë nuk ka not, por kemi pasur takime të ngushta me jetën e egër dhe një shi freskues”, ka shkruar Rohde.
Në videon e publikuar ambasadori shihet teksa takon një hardhucë.
“Përshëndetje Kosovë. Sapo arritëm në majën e Kobilicës. Ishte një ngjitje e vështirë, por ne jemi një grup i mrekullueshëm. Ne kemi qenë me fat me motin deri tani” shprehet ambasadori.
Kujtojmë se para disa javëve Rohde ishte ngjitur në majën e Gjeravicës, ku kishte provuar të gatuante edhe fli.