Emisioni ‘Në Shënjestër’ i gazetares Klodiana Lala në News24 ka trajtuar mbrëmjen e sotme dosjen më të fundit të SPAK ku zbardhen shumë detaje mbi lidhjet, përplasjet, aleancat dhe skenarët e vrasjeve, mes grupeve apo bandave kriminale. Materiali i mëposhtëm zbardh detaje nga planet për vrasje që thurte Vis Martinaj për vëllezërit Duka, por edhe të këtyre të fundit për eleminimin e ‘mbretit të kumarit”. Kush janë vajzat që do përdoreshin si karrem dhe kush fshihet pas pseudonimeve ‘Boli’ e ‘Olsi’
***
Vëllezërit Duka vihen në ndjekje të Martinaj dhe kërkojnë jo vetëm kokën e tij, por edhe të një prej pjesëtarëve të grupit të tij kriminal, Erigers Mihasit.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.
Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.
Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.
Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.
Dosja Hetimore
Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.
I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.
Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.
Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.
Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.
Dosja Hetimore
Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.
Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.
Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.
Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.
Dhe organizohet ta zërë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.
Dosja Hetimore
Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.
Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afroheshin për të vrarë Leonardin.
Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.
Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.
Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.
Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin, por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër, ndërsa tjetra kishte angazhime.