Ditë më parë, mediumi publik të Kosovës raportoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, gjë e cila sipas RTK-së do të ndodhtë gjatë vizitës që Kurti do të zhvillonte në Shkup.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi i mediumit publik.
E vet kryeministri Kurti e ka konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj tij gjatë qëndrimit në Shkup.
“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me këto partitë socialdemokrate”, ka thënë Kurti.
E lidhur më kërcënimin për vrasje ndaj Kurtit, për “Bota sot” ka folur profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Vrasjet politike në përgjithësi janë akte terroriste që synojnë destabilizimin e vendeve ose të rajoneve të caktuara. Para disa ditësh u lajmëruar fakti se një atentat ishte përgatitur kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite që ai po bënte në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Shkup. Si çdo akt tjetër terrorist i këtij lloji, edhe plani i konfirmuar për atentatin kundër Kurtit, ishte skenar për destabilizimin në këtë rast jo thjesht të Kosovës, por të të gjithë rajonit”, shprehet Bytyçi.
“Historia ka shënuar shumë raste të tilla, kur një vrasje ka shërbyer për përshkallëzime rajonale e botërore. Ndërkohë që vrasjet për destabilizim të brendshëm të një vendi janë të ditura. P.sh vrasja e një prej liderëve të demokracisë shqiptare, Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998 ishte një akt i koordinuar i shërbimeve sekrete të vendeve armike të Shqipërisë me agjentët e tyre në Shqipëri, më qëllim destabilizimin e vendit dhe përsëritjen e ngjarjeve të vitit 1997. Ndërsa vrasja në Sarajevë e princit austro-hungarez të kurorës, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë, më 28 qershor 1914 nga organizata kriminale dhe terroriste serbe “Dora e zezë”, ku bënte pjesë edhe i riu Vasa Çubrolloviç, çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Udhëheqës të asaj organizate terroriste ishin gjeneralët në pension të Beogradit, siç provohet në gjyqin që iu bë atentatorit Gabriel dhe grupit terrorist që ai udhëhiqte”, thekson Bytyçi.
Enver Bytyçi.
Sipas tij, synimi serb ishte që edhe Maqedonia e Veriut të përfshihej në konfliktin Kosovë-Serbi.
“Çdo tentativë për vrasjen e liderëve politikë edhe në ditët e sotme ka për objektiv destabilitetin. Ndërsa kur pjesë e këtyre skenarëve bëhen serbët dhe rusët, atëherë është plotësisht e kuptueshme se me atentate si ky që u paralajmërua dhe u parandalua në Shkup, synohet konflikti i armatosur midis shteteve. Në rastin konkret synimi ishte që akti terrorist të kryhej në Maqedoninë e Veriut, çka do të bënte që në konfliktin Kosovë-Serbi për përfshihej edhe ky shtet. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi janë konstruksione të gatshme në duart e Beogradit për t’i përdorur në çdo konflikt në rajonin tonë. Kur them Bosnjë-Hercegovinën, kamë parasysh Republikën Srpska. Kur them Mali i Zi, kam parasysh koalicionin pro-europian me pro-rus të qeverisjes së këtij vendi, një koalicion amalgam, që e ndërlikon të ardhmen euro-atlantike të këtij vendi”, shpjegon Bytyçi.
Më tej, profesor Bytyçi shprehet se një atentat kundër Kurtit do të çonte pashmangshëm në një konflikt Kosovë-Serbi.
“Nuk është e vërtetë se ndonjë atentat do të shërbente për largimin e kryeministrit të Kosovës nga pushteti dhe politika. Do të shërbente thjesht për konflikt të armatosur para së gjithash midis Kosovës dhe Serbisë e më pas midis disa shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët në Kosovë do të reagonin në një rast të tillë, madje me armë. Atëherë Beogradi do të kishte mundësinë që të akuzonte Kosovën për destabilizimin e rajonit. Atentati do të shërbente si mjet për arritjen e këtij qëllimi. Kjo do të ndodhte, sepse në asnjë rast ngjarja nuk mund të ndriçohet Brenda disa ditëve ose disa javëve”, shpjegon Bytyçi.
“Por konfliktet zakonisht nuk presin ndriçimin e ngjarjeve. Ato nisin sipas perceptimeve dhe bindjes së krijuar për fajësinë e Serbisë në këtë akt terrorist. Banjska është e mjaftueshme për të dëshmuar se Serbia është jo vetëm fajtore, por edhe aktore kryesore e destabilitetit rajonal. Perceptimi se Beogradi është fajtor për çdo gjë që ndodh në Kosovë është i mjaftueshëm për të nxit reagim”.
Por a është vërtet Serbia e interesuar vetëm për destabilitet?
“Sa më shumë interes në këtë drejtim, aq më shumë rreziqe për atentate dhe akte terroriste do të ketë. Unë besoj se destabilizimi i Ballkanit Perëndimor është interes kryekëput i Rusisë. Ndërkaq Moska shfrytëzon nacionalizmin serb për ta destabilizuar rajonin tonë. Në Serbi dhe në Beograd, por edhe në Kosovë, ka shumë, shumë politikanë dhe njerëz publikë që u shërbejnë interesave ruse në rajonin tonë. Sipas një raporti, 40 përqind e deputetëve të Listës Srpska në Parlamentin e Kosovës janë në shërbim të shërbimeve sekrete të Moskës. Imagjino se sa është ky raport në institucionet e Serbisë ose të Republikës Srpska apo në institucionet e Malit të Zi. Mjafton ky fakt për të dëshmuar se kapacitetet e shërbimeve serbe në rajon janë të afta të kryejnë atentate dhe akte terroriste për të destabiliizuar rajonin tonë për llogari të interesave të Rusisë”, nënvizon Bytyçi.
Ai thotë se në këtë skenar bën pjesë edhe plani për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës.
“Ky atentat është përzgjedhje e ekspertëve të sigurisë serbe e ruse. Sepse vetëm në këtë rast ishte e garantuar se rajoni do të destabilizohej. Nëse do vritej p.sh kryeministri I Malit të Zi, nuk do të kishte ndonjë destabilizim të rajonit. Thjesht ndoshta do të kishte pështjellime në këtë vend. Prandaj dhe shërbimet e vendeve aleate amerikane dhe evropiane janë të kujdesshme dhe të vëmendshme. Ato punojnë për të parandaluar akte të tilla, të cilat u shërbejnë interesave të Rusisë. Ato punojnë për të parandaluar një vatër të re konflikti, e cila do të ndihmonte fitoren e presidentit Putin në Ukrainë”, përfundon për “Bota sot”, profesor doktor Enver Bytyçi.