Mundësia për progres në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator në Bruksel, është minimale thonë analistët politikë. Sipas tyre, takimi i dialogut është i mirëpritur, mirëpo çdo vonim i depërshkallëzimit të plotë në veri dhe mbajtjes së zgjedhjeve atje, do të zvarrisë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Megjithatë, potencojnë se ka shenja pozitive që mund të ketë intensifikim të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Analisti politik, Arton Demhasaj thotë, se nuk pret që takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të prodhojë diçka konkrete për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Sipas tij, nëse palët do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimet paraprake s’do të ketë lëvizje përpara.
Megjithatë, ai është optimist se nëse ka presion më të madh të aleatëve ndërkombëtar, ShBA-së dhe BE-së, do të ketë mundësi që para zgjedhjeve në këto dy vende që do të mbahen vitin e ardhshëm, të arrihet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi.
Demahasaj: Nuk pres diçka në takimin e radhës Kurti-Vuçiq
“Ka një interesim shumë të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që të ketë sa më shpejt indice për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që do të nënkuptonte një lloj normalizimi. Nuk pres diçka të jashtëzakonshme në takimin e shatorit që mund të mbahet ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq. Por nëse është takim trepalësh i ndërmjetësuesve dhe dy palëve, do të ketë shenja pozitive që mund të ketë takime të radhës për t’u diskutuar çështja normalizimit të marrëdhënieve. Prandaj mendoj se ka mundësi që para zgjedhjeve në ShBA dhe BE të ketë normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk ka rrugë tjetër”, thotë Demhasaj.
Ndërkaq, më skeptik për takimin e 14 shtatorit është analisti tjetër politik, Dorajet Imeri. Ai thotë, se nuk pret progres në dialog pa u shpallur zgjedhjet në veri.
Imeri: Mundësia për progres në dialog është minimale
“Është në vazhdën e përpjekjeve të ndërmjetësueseve për të prodhuar një zgjidhje që do të ishte e nevojshme për vijimin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Për më saktë për të implementuar dakordimin që është arritur në Bruksel dhe Ohër. Mundësia që të ketë progres në këtë aspekt vërtet janë minimale, por normalisht që Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, përmes emisarëve të tyre do të provojnë që të shtrijnë ndikimin e tyre edhe përmes presionit, duke kërkuar nga palët fillimisht shtensionim të çdo forme, sidomos në veri dhe ndoshta një marrëveshje politike që do të nënkuptonte largimin e kryetarëve aktual dhe mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve në atë pjesë të vendit. Duke ditur se çdo vonim të mbajtjes së zgjedhjeve atje, do të përcaktojë dinamikën e zbatimit të marrëveshjes”, thekson Imeri.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar të enjten në një konferencë për shtyp në Spanjë, se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të zhvillohet më 14 shtator në Bruksel.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.