Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sllovakia, e gatshme t’i bashkohet planit të Kinës dhe Brazilit për luftën në Ukrainë

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se Bratisllava është e gatshme që t’i bashkohet propozimit të paraqitur nga Brazili dhe Kina për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Fico u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, më 1 nëntor në Pekin dhe pas takimit tha se qëndrimi i Kinës ndaj luftës në Ukrainë është “i drejtë, objektiv dhe konstruktiv”.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Kina dhe Brazili bashkërisht në gusht publikuan “konsensusin prej gjashtë pikave” që synon një zgjidhje afatgjate politike për luftën që Rusia e nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Plani bën thirrje për uljen e intensitetit të luftimeve dhe njohjen se dialogu dhe negociatat janë rruga e vetme për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur propozimin “shkatërrues” dhe “kryesisht prorus”, pasi bënë thirrje për kompromis nga Ukraina dhe është krijuar pa marrë mendimin e Kievit.

Në shtator, në një intervistë për një media braziliane, ai e refuzoi atë, duke thënë se propozimi nuk ka të bëjë me drejtësi apo me vlera dhe i njëjti dështon të marrë parasysh qëndrimin e Ukrainës dhe çështjen e integritetit territorial.

Pavarësisht refuzimit të Zelenskyt, Fico tha se Sllovakia është e gatshme t’iu bashkohet shteteve të tjera që Kina ka thënë se e kanë pranuar pozitivisht propozimin “dhe të punojë me Kinën për të kontribuar në promovimin e një zgjidhjeje politike për krizën”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Qeveria kineze.

Fico, që ka kritikuar politika të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë, tha se Sllovakia “është shumë e interesuar për përpjekjet diplomatike të Kinës për konfliktin në Ukrainë dhe kemi shkëmbyer qëndrimet tona për këtë çështje thelbësore”.

Kina mund të luajë “rol vendimtar” sa i përket konfliktit në Ukrainë, tha ai përmes një postimi në Facebook.

Kina është kritikuar nga shtetet perëndimore për mbajtjen e raporteve miqësore me Rusinë dhe për ofrimin e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, sikurse pajisjet elektronike që janë të nevojshme për prodhimin e armëve.

Pekini ka thënë se për planin që ka zhvilluar me Brazilin ka pasur “përgjigje pozitive” nga më shumë se 110 shtete.

Fico nisi vizitën në Pekin më 31 tetor dhe do të qëndrojë në Kinë deri më 5 nëntor.

Dy shtetet njoftuan më 1 nëntor se kanë nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik dhe qytetarëve sllovakë do t’iu mundësohet qëndrimi në Kinë, pa vizë, për 15 ditë./Radio Evropa e Lirë