Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Sociologu Xërxa tregon se pse mund të ketë të dhëna të pasakta për numrin e banorëve në Prishtinë

 
   

Numri i qytetarëve që jetojnë në kryeqytet, po konsiderohet se është dyfishuar në vitet e fundit. Megjithatë, ky numër nuk do të reflektohet edhe në të dhënat që do të dalin nga regjistrimi i popullsisë, i cili përfundoi dje (24 maj). Sociologu, Genc Xërxa potencon se ka qytetarët të cilët jetojnë me vite në Prishtinë, porse procesin e regjistrimit e kanë kryer në vendlindjet e tyre. Sipas tij, për të pasur të dhëna të sakta, rezidentët në kryeqytet, duhet të regjistrohen si banorë të kësaj pjese të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Xërxa thotë se numri i qytetarëve të Prishtinës, duke përfshirë edhe lëvizjet e kohëpaskohshme, arrin shifrën prej gjysmë milioni, krahasuar me atë të vitit 2011, kur ishin rreth 205 mijë banorë. Porse, sipas tij në procesin e regjistrimit të tyre, mund të ketë parregullsi, që qojnë në numrin jo real të banorëve që jetojnë në kryeqytet. Ndërsa, nga ASK-ja nuk kanë treguar se sa mund të jetë numri i tanishëm i banorëve në Prishtinë me regjistrimin e fundit popullsisë.

Xërxa: Jetojnë me vite në Prishtinë, por regjistrohen në komuna tjera

“Në qoftë se i referohemi statistikave të regjistrimit të popullsisë, sidomos kur flasim për kryeqytetin 2011-ën, atëherë del sipas statistikave zyrtare (se janë) mbi 205 mijë banorë. Ndërsa, tani përshtypjet janë që jemi afër gjysmë milioni me të gjitha lëvizjet migruese brenda ditore, pastaj kemi javore. Por, mund të ketë anomali në aspektin e regjistrimit zyrtar, për shkak se shumica e banorëve këtu tek ne rezidentë, ende nuk e kanë bërë migrimin e tyre nga vendet amë, pasi që ka banorë që jetojnë me vite këtu, ende iu figuron që janë banorë të komunave të tjera. Unë shoh brenda miqve dhe disa familjareve që kur vjen deri tek zgjedhjet apo votimi, shumë banorë tonë lëshojnë Prishtinën, anojnë nëpër komuna tjera duke kryer këtë obligimin qytetar. Kjo i bie se shumica e banorëve që jetojnë këtu nuk janë të regjistruar, pra nuk e kanë bërë zhvendosjen nga komunat tjera paraprake. Kjo ndikon në numrin e tyre faktik, pastaj kemi edhe numër të banorëve që kanë blerë prona, jetojnë në mërgatë, në diasporë, ndërsa iu figuron që e kanë pronën dhe janë banorë të këtij vendi”, thotë Xërxa.

Këto çështje që po ndikojnë në numrin jo real të regjistrimit të popullsisë në Prishtinë, Xërxa i quan “anomali civile”. Ai thotë se për të pasur të dhëna të sakta, secili banor që jeton dhe vepron në këtë vend, duhet të regjistrohet si i tillë.

Xërxa: Secili banor që jeton dhe vepron në Prishtinë, të regjistrohet aty

“Janë disa lëvizje apo disa anomali civile të cilat detyrimisht ndikon në numrin e përgjithshëm të banorëve. Ndërsa, përshtypja reale tek ne në kryeqytet është se gjendet rreth, sipas Bankës Botërore, duke iu referuar, afër gjysmë milioni që frekuentojnë brenda ditës…Për të pasur një figuracion të saktë, secili banor i cili jeton këtu, vepron në baza reale ish dashur të regjistrohet këtu. Jo t’i mbetet regjistrimi ndonjë komune tjetër amë dhe nuk e ka bërë shpërnguljen”, potencon Xërxa.

Ndërkaq, sa i përket rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë në gjithë Kosovën, që pritet të dalin brenda tre muajve, e që është raportuar se mund të ketë rënie të numrit, Xërxa thotë se për këtë ndikojnë faktorë të ndryshëm.

Sipas tij, migrimi i popullsisë kohëve të fundit, mund të ndikojë në uljen e numrit të tyre.

Xërxa: Mund të ketë rënie të numrit të popullsisë për shkak të migrimit

“Mund të ketë rënie nga faktorë të ndryshëm, e dimë që ka pasur lëvizje të popullsisë, lëvizje jashtë vendit, por detyrimisht, më shumë që do të ndikojë në zona tjera, qofshin ato rurale apo jashtë Prishtinës. Ndërsa, Prishtina gjithmonë e ka atë përshtypjen që është mbipopulluar dhe të gjithë synojnë nga Prishtina si në aspektet e ndryshme administrative, studime, bizneset e të tjera“, thekson Xërxa.

Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ka nisur më 5 prill dhe ka përfunduar dje më 24 maj. Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora është shtyrë deri më datën 31 gusht të këtij viti.