Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sopjani: I rrallë vendimi i presidentes Osmani për kthimin prapa të një ligji, i jap të drejtë

 
   

Eksperti i sigurisë, Shkëlzen Sopjani, e cilëson të rrallë vendimin e presidentes Osmani për kthimin prapa në Kuvend të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Megjithatë, Sopjani i ka dhënë të drejtë Osmanit, pasi sipas tij me aq sa ka parë ky ligj ka disa mangësi serioze.

“Është e vërtetë që rrallë ka ndodhur të paktën në sistemin tonë që presidentja apo presidenti ta kthejë një ligj prapa, pra të mos aprovojë sepse është një prej kompetencave të garantuara me Kushtetutë, se presidentja i ka tri mundësi sa i përket ligjit pas aprovimit në Kuvend, që të njëjtin ta dekretojë, t’ia lë afatit kohor dhe të hyjë në fuqi ai ligj, si dhe mundësia e tretë është që të njëjtin ta kthejë me një arsyetim. Sa e kam parë un draftin e ligjit për të cilin po flasim unë i jap të drejtë zyrës së presidentes në këtë rast pasi që ligji ka disa mangësi serioze. Dhe me të drejtë edhe vendimi i zyrës së presidentes për kthimin e këtij ligji kryesisht ka të bëjë me gjendjen e jashtëzakonshme dhe situatat dhe mënyra e funksionimit të Këshillit të Sigurisë në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme ku ligji pra ky i riu është totalisht i heshtur, nuk parasheh se kush çka dhe si vepron ne situata të tilla”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shtuar se e ka parë edhe si një tentativë të zhveshjes së Presidencës nga përgjegjësitë që siç ka thënë ‘i takojnë me Kushtetutën e Kosovës’.

“Unë e kam parë si tentativë që të zhvishet zyra e presidentes nga përgjegjësitë që i takojnë me Kushtetutën e Kosovës, sepse e dimë qartazi që formati i zyrës së presidentes në Kosovë nuk është sistem presidencial, por është një sistem miks pra hibrid ku presidenti ka disa kompetenca ekskluzive dhe e ka primatin në disa fusha, por kryesisht më shumë ka rolin unifikues dhe përfaqësues”, është shprehur Sopjani.

Të martën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë vendim, me të cilin e ka kthyer në Kuvend, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është miratuar më 31 tetor.

“Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në njoftimin e Presidencës.