Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sot datëlindja e Anton Çettës

 
   

Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920 dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë. Çetta ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur edhe për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.

Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë.

Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe.

Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit.

“Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90.

Ndërsa, më 26 nëntor 2020, në 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës, dhe në 25 vjetorin e vdekjes së tij, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, është promovuar botimi i kompletit të veprave të veprimtarit, shkrimtarit, mbledhësit të folklorit shqiptar, profesor Anton Çettës.

Muaji nëntor me vendim të qeverisë ishte shpallur muaji i Anton Çettës.