Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën e parë të përbërjes qeveritare të sapo zgjedhur.
Ajo është paraparë të mbahet sot me fillim në orën 12:00, sipas Klan Macedonia.
Talat Xhaferi, i cili u bë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, dje tha se është dëshmuar që shqiptarët mund t’i menaxhojnë institucionet e shtetit.
“Kemi verifikuar që mundemi dhe te shqiptarët ka kuadro të denjë, institucionalist që mbi parimet edhe të rregullave ndërkombëtare edhe të rregullave vendore mund të menaxhojnë institucionet”, deklaroi ai.
“Jo vetëm shembulli i menaxhimit të parlamentit ose Ministrisë së Mbrojtjes, por të gjithë institucioneve, kemi ministrin e Punëve të Jashtme, kemi ministrin e Financave, kemi ministër të Arsimit, dhe fushave tjera, drejtori të veçantë, institucione tjera që kanë verifikuar se ka potencial, ka kapacitet, por në mënyrë të barabartë duhet dhënë mundësi që të verifikohet se po e bëjmë këtë”, tha ai.
Ai pas pranimit të detyrës tha se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështes çdo veprim dhe vendim në qeveri, ndërsa pohoi se detyra primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.
“Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.
“Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore”.
“Në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, ka deklaruar ai.
Tags: Maqedoni e VeriutTalat Xhaferi