Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.
Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon.
Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare.
Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë.
Mbretëria e Bashkuar ka dalë me propozimin që Ukrainës t’i lejohet ta kapërcejë programin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reforma politike, ekonomike dhe ushtarake, që çdo vend kandidat duhet t’i përmbushë përpara anëtarësimit të plotë.
Përveç perspektivës së anëtarësimit, liderët e NATO-s pritet gjithashtu të zotohen për ndihmë të vazhdueshme ushtarake dhe financiare për Kievin.
Drita jeshile për Suedinë
Tema e Suedisë, praktikisht, ka përfunduar më 10 korrik, një natë përpara samitit të aleancës, kur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka pranuar që t’ia përcjellë Parlamentit të vendit të tij kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO.
Suedia – ashtu si edhe Finlanda – ka qenë tradicionalisht vend neutral sa u përket aleancave ushtarake, por ajo ka kërkuar pranimin në aleancë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Finlanda është bërë anëtare e plotë e NATO-s në prill të këtij viti.
Ndonëse të dyja vendet kanë kërkuar njëkohësisht pranimin, Turqia e ka bllokuar deri më tash procesin e anëtarësimit për Suedinë, duke pretenduar se ky vend strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste.
Në takimin që Stolteberg ka organizuar më 10 korrik me presidentin e Turqisë dhe kryeministrin e Suedisë, Erdogan ka pranuar që ta heqë veton, duke hapur mundësinë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s.
Anëtarësimi i plotë do të ndodhë kur të gjitha vendet ta ratifikojnë protokollin e pranimit.
Kosova jashtë agjendës
Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Trazirat e fundit atje kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.
Masa të rrepta për sigurinë
Për mikpritësen e samitit të NATO-s, Lituaninë, kjo ngjarje është më e madhja në historinë e këtij vendi.
Për sigurinë janë angazhuar tri njësi kundërajrore gjermane, Patriot, ashtu si edhe avionë shtesë luftarakë.
Gjithashtu, mbi 1.000 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s do të kujdesen për sigurinë.
Lituania kufizohet me rajonin rus të Kaliningradit në jugperëndim, si dhe me Bjellorusinë – aleate e Rusisë – në lindje dhe në jug.