Mbledhja e nënshkrimeve në kuadër të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore Erden Atiq, pritet të nisë sot në orën 09:00.
Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb. Këtë e ka konfirmuar kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.
“Ne përmes emalit i kemi dërgu grupit iniciues dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal pëlqimin për shfrytëzimin e objektit, hapësirën publike e cila gjendet te Salla e Sporteve në Pjesën Veriore. Ata (grupi iniciatorë serb) sot fillojnë prej orës 09:00. Fillon në pjesën Veriore dhe Leposaviq”- ka thënë ai.
Ndryshe, më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e grupit iniciatorë serb për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.
Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.
Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.
Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.