Analisti politik Nexhmedin Spahiu, ka thënë se institucionet e Kosovës, nuk duhet të tremben nga reagimet e ndërkombëtarëve për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Kjo pasi sipas tij, vendosja e kryetarëve të rinj në zyret e tyre në komunat veriore, është suksesi i parë i Kosovës si shtet, përcjell Bota sot.
“Kosova nuk duhet të trembet nga reagimet ndërkombëtare për zhvillimet në veri. Ky është suksesi i parë i Kosovës si shtet. Kur fëmija çohet për herë të parë në këmbët e veta e fillon me ecë, krejt familja i bërtasin çka je tu ba. Tek masandej kur e shohin që nuk po rrëzohet i thonë marshallah. Kur puna kryhet me sukses qortimet kalojnë”, ka shkruar Spahiu në një postim në Facebook.
Deklarata e analistit vjen pas SHBA-ja dënoi të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Me anë të një deklarate, Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.