Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) të martën është sekuestruar një apartament i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ish-ministri ndodhet në paraburgim që prej korrikut.
SPAK-u ka thënë se në kuadër të hetimeve ndaj tij është identifikuar një pasuri e paluajtshme, apartament banimi në Lungomare, në qytetin bregdetar të Vlorës.
Sipas Prokurorisë, në korrik të këtij viti është kryer një kontroll, ku janë siguruar të dhëna me interes për hetimin.
“Kjo pasuri, apo investimet e kryera për mobilimin e saj, nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të”, ka thënë Prokuroria.
Sipas hetimeve, në vitin 2016 apartamenti është blerë nga një shtetas që rezulton të ketë lidhje me ish-ministrin, në vlerë të 67 mijë eurove.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij, proces që ka zgjatur dy vjet.
Vlera e investuar shkon në 50 mijë euro.
Më pas, në vitin 2020 është lidhur kontratë qiraje mes personit që e bleu apartamentin dhe bashkëshortes së ish-ministrit Beqaj.
“Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të pronës së paluajtshme deri në fillim të vitit 2019”, ka bërë të ditur Prokuroria.
SPAK-u thotë se këto fakte vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e çdo veprimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.
Për këtë arsye SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pronës dhe vendimi është zbatuar nga Policia e Vlorës.
Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj është arrestuar më 4 korrik.
SPAK tha se në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij, gjatë viteve 2022-2023, kanë kryer procedura prokurimi fiktive, në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisioni Evropian.
Bëhet fjalë për të paktën tetë shërbime të prokuruara.
Sipas Prokurorisë, tenderët që janë zhvilluar me prokurim të thjeshtë, janë urdhëruar nga Ilir Beqaj.
Beqaj dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë nëntorin e vitit të kaluar, pasi iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit”, për shkak të hetimeve për dosjen “Sterilizimi”.
Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.
Pas hetimeve dhe kërkesës së SPAK-ut, gjykata caktoi masë arresti për Beqajn dhe dy bashkëpunëtorë të tij.
Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohen për kryerje të veprave penale, “korrupsion pasiv”, “korrupsion aktiv”, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, “mashtrim” si dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë”.
Ndërkohë, Ilir Beqaj është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Tags: Ilir BeqajSPAK