Gazetari investigativ, Artan Hoxha, duke komentuar hetimet e SPAK-ut pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro dhe disa vartësve për truallin ku po ndërtohet resorti i ish-deputetit socialist Artan Gaçi, deklaroi se hetimi duhe të nisë nga lart, nga Tirana.
“Të gjithë këta njerëz që kemi në arrest shtëpie dhe arrest me burg, përveç Stavri Mëhillit dhe u gjet për të bërë letrat, edhe nga hetimet që ka bërë SPAK-u se po flasim për një pasuri të tërë, nuk ka dalë se e kanë bërë për përfitim.
Atëherë pse e kanë bërë, kush ka përfituar?
Nuk është puna se ke të bësh me një fshatar me kryetarin e bashkisë, që i ka dhënë ryshfet këtij të fundit dhe ky ia ka plotësuar dokumentacionin. I ka dhënë ryshfetin në truall ose në para. Kjo gjë është bërë e dirigjuar nga Tirana dhe ajo që kërkojmë nga SPAK-u është që ta nisë nga këtu sipër, pastaj t’i bjerë “rrufeja” atje poshtë. Pra nga këtu duhet të nisë”-tha Hoxha.