Spanja me fundin e vitit 2023 e përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian (BE) për t’ia dorëzuar këtë detyrë Belgjikës.
Kështu Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë.
Dhe ky kryesim i Belgjikës ndodh në një moment kyç për BE-në pasi nga fundi i kësaj presidence, mes datave 6 dhe 9 qershor, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane.
E, për Belgjikën, dita e zgjedhjeve do të jetë edhe më e rëndësishme pasi në të njëjtën ditë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të zhvillohen edhe zgjedhjet nacionale, edhe ato rajonale edhe ato lokale. Pavarësisht, kësaj Qeveria e Belgjikës ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses.
Edhe Spanja gjatë kryesimit të saj me BE-në në pjesën e dytë të vitit 2023 kaloi përmes procesit zgjedhor.
Spanja, gjatë kryesimit të saj me BE-në, ndër prioritetet pati edhe procesin e zgjerimit dhe këtë, po ashtu, pritet ta ketë edhe Belgjika.
Gjatë kryesimit të Spanjës u miratuan vendime historike për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, u shpreh edhe gatishmëria për të nisur negociatat me kusht edhe me Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat Gjeorgjisë.
Nuk pati asnjë hap të vetëm sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe kjo nuk pritej gjatë kryesimit të Spanjës, e cila është ndër vendet anëtare të BE-së që e kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, Kosova mori pjesë në një samit të Bashkësisë Politike Evropiane që u zhvillua në Granada të Spanjës, si dhe në një samit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, i cili u zhvillua në muajin dhjetor në Bruksel.
Diplomatët në Bruksel thonë se në pjesën e parë të vitit 2023, kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi. Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.
Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e radhës e kishte Çekia.
“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së./REL