Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Spanja vuri në pranga “trurin e ish-bandës së Durrësit”, publikohet fotoja e momentit të arrestimit të Lulzim Berishës

Është publikuar fotoja e Lulzim Berishës, pas arrestimit nga autoritetet spanjolle. I njohur si “truri i ish-Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend, kishte ndryshuar komplet look për të mos u njohur nga autoritetet.

Në foton e publikuar dallohen ndryshimet e bëra në ‘look-un’ e përditshëm, ku dallohet që mbante një kapele, kishte rritur mjekrën si dhe kishte vënë dhe syze.

Kujtojmë se shpallja në kërkim e Lulzim Berishës është bërë në mes të muajit dhjetor 2021, ku pas dyshimeve mbi vendndodhjen e tij i kërkohet ndihmë autoriteteve të huaja, për lokalizimin dhe arrestimin e të dënuarit.

I akuzuari si kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u lirua me kusht në 5 dhjetor 2016, pas një vendimi të komplikuar të Gjykatës së Apelit Durrës, sipas të cilit ai përfitonte lirim të parakohshëm pasi kishte shlyer ¾ e dënimit prej 25 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Lartë.

Por në 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që i fali Lulzim Berishës më shumë se 6 vite burg, bazuar edhe në një dokument punësimi të lëshuar nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

Ndërkohë veç kësaj mase kërkimi, Lulzim Berisha prej dhjetorit 2020 është në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në muajin shkurt 2005.