Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Spanjollët votojnë në zgjedhjet që mund ta sjellin të djathtën në pushtet

Votuesit spanjollë do të shkojnë të dielën drejt vendvotimeve në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Evropian që do të kalojë nga e djathta.

Kryeministri Pedro Sanchez ka thirrur zgjedhje të parakohshme, pasi Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos, u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga viti 2018.

Shumica e anketave të opinionit për zgjedhjet e 23 korrikut e kanë vënë Partinë Popullore të krahut të djathtë, e cila ka fituar zgjedhjet në maj, para socialistëve të Sanchezit, por kanë parashikuar se asaj do t’i duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar një qeveri, raporton AP.

Kundërshtarë të tyre janë socialistët dhe një lëvizje e re, e quajtur Sumar, e cila ka bërë bashkë 15 parti të vogla majtiste për herë të parë.

Teksa asnjë parti nuk pritet të fitojë një shumicë absolute, spanjollët praktikisht do të zgjedhin ndërmjet një tjetër koalicioni majtist dhe një partneriteti mes krahut të djathtë dhe ekstremit të djathtë.

Qeveria e Sanchezit e ka drejtuar Spanjën gjatë pandemisë së COVID-19 dhe është marrë me një rënie ekonomike të nxitur nga inflacioni dhe të përkeqësuar nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë.

Por, varësia e tij nga partitë e ekstremit për të ruajtur koalicionin e tij pakicë, përfshirë forcat separatiste nga Katalonja dhe Baskia, dhe miratimi i disa ligjeve liberale mund t’i kushtojë me pozitë.

Të djathtët nuk e pëlqejnë fare Sanchezin, i cili, sipas tyre, e ka tradhtuar dhe e ka shkatërruar Spanjën. Ata duan t’u shfuqizojnë shumë prej ligjeve të tij, prej të cilave kanë përfituar miliona qytetarë dhe mijëra kompani.

 

Tags: