Avokati shqiptar Spartak Ngjela përmes një postimi në Facebook ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Shqipëri, me konfiskimin e pasurive të disa anëtarëve të familjes Berisha.
Ngjela thotë që konfiskimi i pasurive nuk do të thotë asgjë, nëse dëshmohet që e gjitha është e ligjshme.
Sipas avokatit të akuzuarit nuk kanë thënë që pronat nuk janë të tyret, por po u thonë shqiptarëve se e gjitha kjo është intrigë e Edi Ramës, përcjell “Bota sot”.
“Kuptohet se deri tani të akuzuarit janë drejt konfiskimit të pronave si të fituara në një rrugë jo të ligjshme.
Megjithatë, të shohim rrjedhën e proceseve gjyqësore. Ndoshta i kanë provat për paranë e tyre të pastër”, ishin disa nga fjalët që avokati i tha.
Postimi i plotë
Nuk po kuptoj se si po mbrohen të akuzuarit e familjes Berisha dhe disa lloj pushtetarësh.
Ata janë akuzuar se pronat dhe paratë që ata zotërojnë janë vënë në favor të tyre me korrupsion.
Kurse…
Ata duhet të thonë: këto prona për të cilat akuzohen janë apo nuk janë të tyret.
Ata duhet të tregojnë se, nëse janë në pronësi të tyre, si i kanë përfituar ato: me blerje, me trashëgimi apo me dhurim.
Dhe këtu fillon edhe akuza edhe mbrojtja.
Të akuzuarit nuk kanë thënë që pronat nuk janë të tyret, por po u thonë shqiptarëve se e gjitha kjo është intrigë e Edi Ramës.
Zotëri, po e ke pronën tënde dhe e ke blerë me para të pastra, nuk të ndodh asgjë.
Po ke në bankë disa milionë euro ose dollarë, dhe ato i provon se i ke si trashëgimi ligjore apo i ke si fitim të biznesit tënd, gjithçka është e ligjshme.
Nëse këto prona nuk i justifikon dhe ke pas qenë pushtetar i lartë, sigurisht që i ke përfituar me korrupsion.
Ja, kaq e thjeshtë është kjo çështje. Më shumë se kaq nuk ka.
Kurse unë deri tani, nuk kam dëgjuar të flitet se si të akuzuarit e kanë përfituar një pronë për të cilën akuzohen, apo edhe paratë që kanë nëpër depozita bankare. Ata nuk flasin për këtë çështje!!!
Është gjithmonë mendjelehtësi nga ana jote, sepse, nëse ke qenë pushtetar i lartë dhe nuk tregon dot një burim të ligjshëm të parasë me te cilën ke bletë pronat, provohet se aty ka pasur korrupsion.
Kjo është çështja.
Por ne po dëgjojmë vetëm zhurmë dhe akuza që i ngrihen qeverisë Rama.
Zotërinj, për një gjë të jeni të sigurt: Nëse ju e provoni ligjërisht se paratë me të cilat janë blerë pronat kanë qenë të ligjshme, asgjë nuk mund të ndodhë me ju.
Por, qesharake është se, deri tani, askush nga të akuzuarit nuk kam dëgjuar të na thotë: e kam të provuar se pronat e mia i kam blerë me para të ligjshme, ose i kam fituat me trashëgimi.
Shumë e thjeshtë.
Po përse nuk na i thonë këtë?
Kuptohet se deri tani të akuzuarit janë drejt konfiskimit të pronave si të fituara në një rrugë jo të ligjshme.
Megjithatë, të shohim rrjedhën e proceseve gjyqësore. Ndoshta i kanë provat për paranë e tyre të pastër.
Kaq. Këtu mbyllet kjo çështje në funksion juridik.
Kaq e asgjë më…
Llomotitja mediatike, është vetëm zhurmë…