Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Spartak Ngjela zbërthen skenarët e frikshme të Berishës: Saliu po tenton të dërgojë mesazhe të koduara te SHBA dhe SPAK

Avokati Spartak Ngjela i ka cilësuar të tepruara reagime te opozitës në sallën e Parlamentit. Dje pati skena dhune, ku deputetët që i rrinë pas Berishës u përplasën fizikisht me socialistët.

Sipas avokatit, e gjitha kjo bëhet për interes të Sali Berishës. Në një emision, avokati deklaroi se Berisha tani është në hall të madh për shkak të akuzave të SPAK dhe po nxit destabilizim për të shpëtuar nga akuzat. Por avokati u duk i bindur në qëndrimin e tij se kjo gjë nuk do e shpëtojë. Sipas tij, Berisha maksimumi do shkojë te greva e urisë, por nuk del dot në rebelime e protesta sepse nuk ka mbështetje.

“Është i pandehur kryetari i “Rithemelimit”. Është në proces penal. Të gjithë këta i bëjnë si pasojë e krizës mendore që po kalon kryetari i tyre. Pse? Sepse kuptohet dhe kur flet. Pse? Sepse është në akuzë. Ju them se çdo njeri që është nën akuzë nëse nuk ka një avokat që ta drejtojë bën gabime të rënda. Mendon se duke bllokuar Parlamentin do krijojë një involnim shoqëror për destabilizimin e Shqipërisë. Është një naivitet. Nuk do të ndodhë. Është e pamundur. Mund të bëjë dhe grevë urie se ky është stili i Saliut. Por nuk shoh ti drejtohet opinionit se nuk ka numër që i shkon pas. Sipas të dhënave i ka rënë mbështetja në nën 18 për qind”, tha avokati.

Duke u ndaluar te komisionet hetimore të kërkuar nga opozita, Ngjela tha se duhet parë objekti i çështjes. Po ashtu tha se për rastet që janë në hetim nga prokuroria nuk mund të ketë komision hetimor.

“Komisioni hetimor për një çështje që ka nisur procesi penal nuk mund të ngritët. Ti nuk del dot mbi prokurorinë dhe gjykatën”, tha ai.

Sali Berisha është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërkohë që dhëndri i tij ndodhet në burg. Pas këtyre lëvizjeve është ashpërsuar aksioni opozitar. Berisha të premten kërkoi nga Këshilli Kombëtar që të përgatiten për reagim të fuqishëm, ku u fol dhe për grevë urie dhe protesta. Opozita kapet pas faktit se PS nuk lejon ngritjen e komisioneve hetimore, por sinjalet janë se Berisha po tenton të dërgojë mesazhe të SHBA dhe SPAK se ai është gati të shkaktojë trazira nëse merren me të dhe familjen e tij.