Rreziku për të destabilizuar vendin përmes spiunëve të Serbisë në Kosovë, po shihet shqetësues.
Por, institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë janë vënë në lëvizje për të parandaluar këtë fenomen.
Brenda një jave u arrestuan tre persona, një i nacionaliteti serb në Leposaviq, i cili sipas informacioneve të televizionit, është duke u hetuar për lidhje të ngushtë me BIA-n serbe, por edhe me ish drejtorin e shërbimit sekret serb, Aleksandër Vulin.
Ndërsa të mërkurën u arrestuan edhe dy shqiptar të cilët edhe në një audio incizim u dëgjuan duke i raportuar një pjesëtari të BIA-s serbe, e që televizioni ka mësuar se këto biseda janë bërë dy ditë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Njohësit e sigurisë i shohin këto zhvillime si tentim i Serbisë për të ngritur tensione, ndërsa kanë mirëpritur arrestimet e fundit.
“Kjo është tregues se BIA serbe paska veprua dhe vepron, dhe ky është rreziku se arrestimi i tyre nuk paraqet rrezik, ky është sukses i inteligjencës sukses i policisë. Urojmë që të ketë sa më pak të tillë në Kosovë” , ka thënë profesori i kriminalistikës, Fatmir Qollaku.
Sipas Arben Dashevcit, bashkëpunëtorët e BIA-së në Kosovë, po paguhen me buxhet të Serbisë për të kryer spiunazh.
“Para ca ditësh u ndalua atje në kufi edhe një njeri që ishte i afërt me të sanksionuarin Departamenti Amerikan i Shtetit, pra Vulinit dhe çfarë kërkojnë ata njerëz këtu? Pra Serbia vazhdimisht tenton të destabilizoi Republikën e Kosovës, në këtë formë edhe duke angazhuar njerëz, duke paguar njerëz, që të inflirtohen në atë agjenci të tyre famëkeqe” , ka thënë njohësi i sigurisë.
E domosdoshme po cilësohet edhe nisja e kontrolleve në institucionet shtetërore, për të verifikuar personat e dyshuar.
“Padyshim se institucionet tona duhet ta bëjnë atë kontrollin prej rrënjëve se kush është, ose a mund të ketë ndonjë person që është për dëmin e Republikës së Kosovës, sepse dëmi i republikës së Kosovës na sjell pasiguri te të gjithë qytetarët e Kosovës, mund t’i deformojë rastet”, ka deklaruar Dashevci.
Për arrestimin e këtyre personave, ende nuk ka reaguar kryeministri, Albin Kurti, dhe presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Ndërkaq, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që spiunët e Serbisë të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.