Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, ka thënë të martën se do të duhet kohë e gjatë për të rindërtuar Britaninë dhe për t’ia hequr kalbëzimin, që ai ka thënë se ka ndodhur gjatë qeverisjes paraprake të konservatorëve.
Ai ka paralajmëruar që “gjërat do të përkeqësohen, para se të përmirësohen”.
Starmer, i cili ka fituar zgjedhjet në korrik të këtij viti, është zotuar për të rindërtuar fabrikën e shoqërisë britanike, duke thënë se trazirat e fundit me thirrje kundër migrantëve, kanë reflektuar ndasitë që janë ndërtuar përgjatë 14 vjetëve të Partisë Konservatore në pushtet.
Ai e ka mbajtur fjalimin në oborrin e Qeverisë ku ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka mbajtur disa festa gjatë periudhës së izolimeve kundër koronavirusit.
Sipas Starmerit, veprime të tilla kanë thyer besimin në mes të publikut dhe politikanëve.
“Nuk e kemi trashëguar vetëm një vrimë të zezë ekonomike, por edhe një vrimë të zezë shoqërore, dhe për këtë arsye duhet të veprojmë dhe t’i bëjmë gjërat ndryshe. Kjo nënkupton që të jemi të sinqertë me njerëzit për zgjedhjet që bëjmë dhe sa të vështira do të jenë ato”, ka thënë ai.
“Sinqerisht, gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen”.
Duke iu adresuar një audience me mësues, infermierë, pronarë biznesesh të vogla, Starmer ka thënë se ndryshimi nuk do të ndodhë brenda natës.
Megjithatë, ai ka thënë se Qeveria është e vendosur për t’i zgjidhur problemet duke nisur nga mbingarkesa në burgje, në problemet me banim, dhe pritjet e gjata për të marrë shërbime nëpër spitale.
Starmer, ish-udhëheqës i Prokurorisë Publike, është detyruar t’i anulojë pushimet këtë muaj, për t’u përballur me trazirat e së djathtës ekstreme, që kanë shënjestruar myslimanët dhe migrantët.
Trazirat kanë nisur pasi për vrasjen e tri vajzave të vogla në veri të Anglisë është fajësuar rrejshëm një migrant mysliman, përmes disa postimeve të bëra nëpër rrjete sociale.
Starmer ka thënë se dështimi i Qeverisë së konservatorëve për t’i luftuar problemet, dhe fokusi në popullizëm, i kanë zgjeruar çarjet në shoqëri, të cilat, sipas tij, do të marrin kohë për t’u shëruar./rel