Deputetja e Vetëvendosjes, Jeta Statovci, tha se organizimi i votimit të 21 prillit në katër komunat veriore të Kosovës për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktual, ishte një sukses dhe jo dështim.
Statovci tha se shteti i Kosovës i ka ofruar mundësinë ligjore, demokratike që qytetarët të tregojnë vullnetin e tyre dhe mos të ketë vakum institucional.
“Nuk do e quaja dështim, do e quaja sukses sepse Kosova në kuadër të mekanizmave të saj demokratik ka ofruar infrastrukturën ligjore, demokratike, ka ndodhur edhe në aspektin financiar që të vjen në shprehje vullneti qytetar për tërheqjen ose jo të kryetarëve aktual. Në anën tjetër përveç që ne kemi treguar një veprim institucional, cilësor e demokratik, është shpërfaqur edhe agjenda që tentohet të shtrihet nga politika serbe përmes palëve që i kanë të përfshirë përmes partive në Kosovë sikur Lista Serbe e cila nuk ka agjendë tjetër përveç destruktive dhe destabilizuese e cila u pa edhe në këtë proces”, tha Statovci.
Ndërsa e pyetur se Qeveria ka deklaruar se Lista Serbe e ka humbur ndikimin saj në veri, Statovci tha se në dy radhë të votimit në këto komuna është parë një dallim i madh në mes të votimit të peticionit dhe atij të referendumit të 21 prillit.
“Ne nuk mohojmë faktin që mund të ketë elemente shantazhi kërcënimi edhe organizmi të tyre, por përmes një procesi të drejtë, demokratik dhe të lirë tentojmë të ndihmojmë një proces që qytetarët të organizojnë komunitetin e tyre dhe të shprehin vullnetin e tyre sepse ne pamë një shkëputje, pat vullnet për nënshkrimin e një peticionit dhe pastaj një imponim dhe thirrje qoftë edhe politike dhe me elemente kriminale të cilat imponojnë një rrethanë tjetër për këta qytetarë”, deklaroi Statovci.