Deputetja e GP të Vetëvendosjes, Jeta Statovci, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se synon t’i mobilizojë fëmijët serbë për luftë në Kosovë, siç bëri Adolf Hitel në vitin 1945.
Sipas Statovci, një president si Vuçiq, është fat i keq jo vetëm i Kosovës por edhe për tërë kontinentin evropian.
“Një President si Vuçiq, që bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, është fat i keq jo vetëm i Kosovës si shtet fqinj, por edhe për tërë kontinentin evropian, e popullin serb në veçanti. Kjo shpjegon përse ky shërbëtor i kriminelit Millosheviq, shërbeu si Ministër i Propagandës në kohën e luftës në Kosovë, ku nuk u kursyen për vdekje as fëmijët nën 5 vjeç”, ka shkruar ajo.
“Kjo shpjegon edhe faktin sa shumë e ka humbur rrugën e tij, duke ushtruar dhunë në Kosovë, duke sfiduar NATO-n siç bëri dikur shefi tij, duke arrestuar policinë e shteteve fqinje dhe duke mos nënshkruar marrëveshjet për paqe. Një kriminel merr hov në kohë krimesh, koha e krimeve në Ukrainë po motivon Presidentin Vuçiq, populli serb meriton më shumë”, ka shkruar tutje ajo.
Deputetja Statovci ka shkruar se agresioni rus në Ukrainë, po e motivon presidentin serb.
“Një kriminel merr hov në kohë krimesh, koha e krimeve në Ukrainë po motivon Presidentin Vuçiq. Në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi, e kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci, e demokracia është tmerri i çdo të çmenduri që i do edhe fëmijët në luftë”- ka përfunduar ajo.