Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Stenta 2”, prokurorja ndryshon vlerën e dëmit nga 4 milionë e gjysmë në 11 mijë e 430 euro

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Stenta 2”, ka vazhduar dhënia e fjalës përfundimtare nga prokurorja speciale Florije Shamolli dhe 13 të akuzuar me mbrojtësit e tyre, ku edhe u dha arsyetimi për ndryshimin e dispozitivit II të aktakuzës.

Fillimisht, prokurorja Shamolli ka dhënë arsyetimin e saj lidhur me ndryshimin e dispozitivit në pikën II të aktakuzës, ku vlera prej 4 milionë e 555 mijë e 553 euro është ndryshuar në 11 mijë e 430, sipas ekspertizës financiare dhe dy plotësimeve të bëra sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

“E vërtetë që spitalet kanë përfituar, kanë realizuar të hyra, por vlera e dëmit ka qenë 11 mijë e 430 euro, e cila nuk kam mundur në bazë të dosjes të cilat janë administruar dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë kam kaluar në këtë vlerë të dëmit”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Ndërsa, sa i përket ndryshimit të pjesës ku i akuzuari Gani Bajraktari në dispozitivin e dytë ka qenë si anëtar i komisionit konziliar, prokurorja speciale Shamolli tha se gjatë administrimit të provave në asnjë vendim nuk është gjetur se i njëjti kishte qenë anëtar i komisionit por kishte qenë drejtor i Klinikës së Kardiologjisë.

“Pra këto dy ndryshime kanë qenë, por s’ka qenë ndonjë ndryshim thelbësor substancial. Kjo ka qenë arsyeja e ndryshimit”, tha prokurorja speciale.

E njëjta tha se nga prezantimi i të gjitha provave dhe analizimi, rezulton qartë se në veprimet e të pandehurve manifestohen të gjitha elementet e veprave penale që iu vihen në barrë duke propozuar që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga mbrojtësi i të akuzuarit Gani Bajraktari, avokati Reshat Millaku, i cili të njëjtën e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi.

Millaku ka kërkuar që gjykata të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij, sepse sipas tij nuk është provuar se i akuzuari Bajraktari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, ose gjykata të marrë aktgjykim refuzues pasi ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, i akuzuari Gani Bajraktari tha se përveç se ndihet i nënçmuar, i stigmatizuar dhe i persekutuar nga kjo aktakuzë, ndihet tërësisht i pafajshëm dhe se kjo për të është tendencioze, qëllimkeqe dhe pa asnjë fakt apo provë materiale.

“Ndihem i pafajshëm sepse prokurori i rastit përkundër hetimit dhe ndjekjes afatgjate personale ndaj meje, ai nuk kishte arritur që të gjejë asnjë telefonatë apo sms të vetëm inkriminues për mua, ani pse më kishte përgjuar disa herë me vendim gjykate, nuk kishte arritur që të sigurojë asnjë pacient të vetëm që të flas një fjalë të keqe për mua, nuk kishte arritur të gjejë asnjë provë të vetme materiale inkriminuese për mua, dhe nuk kishte arritur të gjente asnjë dëshmitar të vetëm kredibil që të dëshmonte veprime inkriminuese për mua”, tha i akuzuari Bajraktari.

I njëjti tha se kjo aktakuzë e pakuptimtë dhe e paargumentuar ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë, dhe ka shkaktuar huti tek qytetarët dhe pacientët, duke rritur ndjeshëm shkallën e vdekshmërisë sëpacientëve me infarkt akut.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Faik Shatri, avokatja Flutra Hoxha tha se i mbrojturi i saj ka dhënë mbrojtjen e tij plotësisht identike me mbrojtjen para Prokurorisë, e cila meriton besim të plotë pasi që ishte e konkretizuar, e besueshme, e provuar plotësisht edhe me prova materiale dhe bindëse.

Avokatja Hoxha tha se në mungesë të provave fajësuese ndaj të akuzuarit Shatri, meqë nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, gjykata të marrë aktgjykim lirues.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Hamza Selmani, avokati Fitim Shabani ka dorëzuar fjalën e tij përfundimtare me shkrim, duke shtuar se Prokuroria me asnjë provë të vetme nuk ka vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer vepër penale duke propozuar që i njëjti të lirohet nga akuza.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Banush Gashi, avokati Naser Gashi, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se nga provat që janë administruar në këtë çështje penale, Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë fajësinë e të mbrojturit të tij për veprat penale të cilat i vihen në barrë, duke mbetur në tërësi pranë kundërshtimeve të aktakuzës dhe provave fajësuese të paraqitura nga Prokuroria.

Sa i përket ndryshimit të aktakuzës në fjalën përfundimtare të prokurores lidhur me pikën II të aktakuzës bazë, avokati Gashi tha se përkundër faktit se në bazë të ekspertizës financiare ky ndryshim sa i përket shumës së dëmit shkon në favor të të gjithë të akuzuarv,e konsiderojnë se ky dëm nuk është shkaktuar nga këta të akuzuar, as nga i mbrojturi i tij, por kjo ka të bëjë me veprimet e referentëve ose zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Fisnik Hima, avokati Driton Muharremi tha se ndryshimi i dispozitivit të aktakuzës për pikën II edhe pse vërteton një huqje të madhe të Prokurorisë, kur kishte filluar hetimet e që ka të bëjë me dëmin e supozuar që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës ku nga 4 milionë e 555 mijë e 553 euro tani në ndryshim del të jetë 11 mijë e 430 euro, prapë se prapë këtë dispozitiv e lë të paqartë dhe të pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, kjo për faktin se në dispozitivin e përmirësuar e lë si të hyra të spitaleve private shumën prej 4 milionë e 555 mijë e 553 euro, ndërsa dëmin buxhetit të Kosovës 11 mijë e 430 euro nuk e specifikon se kush, si dhe në çfarë mënyre e ka shkaktuar dhe se kjo shumë e theksuar nuk ka të bëjë fare me këta të pandehur, por ka të bëjë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Avokati Muharremi tha se prokurorja në fjalën përfundimtare ka listuar vetëm provat materiale pa arsyetuar secila prej tyre çka provon si e vetme dhe të gjitha si tërësi dhe se ky dispozitiv sipas tij është i përgjithësuar, i paindividualizuar si në kuptimin e veprimeve të secilit të pandehur veç e veç ashtu edhe individualizimin e rasteve, duke kërkuar nga gjykata që të marrë aktgjykim lirues për të akuzuarin Fisnik Hima.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Kelmend Pallaska, avokati Ramë Dreshaj, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim duke e elaboruar të njëjtën.

Avokati Dreshaj tha se i mbrojturi i tij Pallaska ka kryer detyrën sipas standardeve mjekësore, sipas normave humanitare, njerëzore dhe morale dhe asgjë inkrimunese siç pretendohet në aktakuzë.

Ai tha se mbrojtja është e bindur se pas analizimit dhe matjes së peshës së provave duhet të vie në shprehje aktgjykimi lirues për akuzën e cila e rëndon, pasi që këtë e parashohin dispozitat ligjore në rast të mungesës së provave.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Hajdin Qitaku, avokatja Dafina Osmani tha se kjo aktakuzë e cila themelin e saj e ka më shumë në propagandë sesa në prova, disfatën e parë e pësoi në rastin kur ish-ministri Ferid Agani dhe sekretari Gani Shabani janë liruar tani me aktgjykim të formës së prerë për pretendime të njëjta për çka është akuzuar edhe i mbrojturi i saj.

Ajo tha se në këtë çështje penale është provuar se veprimet e Qitakut ishin në tërësi në përputhje me ligjin, nuk mori ryshfet për shërbimet në QKUK por u pagua si mjek për punë sekondare në një spital privat të licencuar, u provua se asnjëherë asnjë person nuk e lakoi emrin e tij si dikush që ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo që ka tejkaluar autorizimet e tij.

E njëjta tha se sa i përket vërejtjes, pasaktësia shkon aq larg sa që e ngarkon Qitakun për veprime që nuk i ka kryer fare, duke iu referuar faqes 9 të fjalës përfundimtarë të Prokurorisë, ku fjala është për rastin e Zymrije Berisha,e cila tha se nuk e dijnë se a është kjo në gabim teknik, mirëpo i akuzuari Qitaku nuk ka qenë pjesë e atij komisioni, nuk e ka lëshuar letrën referuese, nuk ka qenë asnjëherë në aktakuzë, dhe nuk e dijnë se si ka ardhë tani në fjalë përfundimtare.

Seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga mbrojtësi i të akuzuarit Agim Krasniqi, avokati Sahit Bibaj, i cili ka konsideruar se gjatë këtyre seancave me asnjë provë nuk është provuar fajësia e të mbrojturit të tij.

Ai tha se i akuzuari Krasniqi në kohën kontestuese kishte punuar në spital, por edhe nëpër spitale të tjera private në pajtim me kualifikimet dhe ligjet në fuqi.

“Andaj, është edhe jologjike që për punën që ky vetë e ka kërku me thënë që ka marrë ryshfet ose e ka shpërdoru detyrën. Në kohën kur këta i kanë udhëzu pacientat, ato trajtime s’kanë mujt me u kry në spital publik”, tha avokati Bibaj, duke i propozuar gjykatës që të marrë aktgjykim lirues pasi që nuk është provuar me asnjë provë vepra që i vihet në barrë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Pllana, avokati Visar Haxhibeqiri, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke mbetur në tërësi pranë saj me qëllim të ekonomizimit të çështjes, duke mbështetur deklarimet e kolegëve parafolës meqenëse bëhet fjalë për rrethana të njëjta apo të përafërta. Ai i ka propozuar gjykatës që të nxjerrë aktgjykim lirues.

Po ashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarve Edmond Haliti l, avokati Gent Spahia, dhe ai i të akuzuarit Nehbi Musliu, avokati Rrahman Kastrati, kanë mbetur në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim.

Ndërkaq në vazhdim, mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Poniku, avokati Zijadin Spahiu, gjatë dhënies së fjalës së tij përfundimtare tha se dispozitivi i aktakuzës është i paqartë dhe në mënyrë shumë të gjeneralizuar i paraqet faktet sa i përket veprimeve të ndërmarra në periudhën kohore dhe ndaj numrit të pacientëve, duke mos treguar në cilat raste janë bërë shkeljet.

“Gjithashtu vlerësoj si provë jorelevante është se emri i të mbrojturit tim është gjetur me një fletore të dikujt, duke mos verifikuar për çfarë arsye gjendet aty emri i tij, për këtë i njëjti ka kërkuar nga prokuroria të verifikojë këtë rrethanë, por prokuroria fare nuk ka dhënë përgjigje deri më sot. Kjo nuk mund të quhet provë sepse nuk i plotëson kushtet për t’u trajtuar si provë në aspektin formalo-material”, tha avokati Spahiu.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin Poniku ta lirojë nga akuza.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Dardan Koqinaj, avokatja Zymryte Zeka, tha se në aktakuzë për të mbrojturin e saj thuhet se në tri raste ka bërë shkelje, keqpërdorime, ka dëmtuar palën, por që  nuk ceket as cilët persona i ka dëmtuar, as ndaj cilëve ka vepruar keq, e as që nuk e ka kryer detyrën e tij.

E njëjta i propozoi gjykatës që duke marrë parasysh që nuk ka prova të mjaftueshme që i mbrojturi i saj ka kryer vepër penale, të shpallë aktgjykim lirues.

Të gjithë të akuzuarit, kanë mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e radhës do të mbahet nesër (18 gusht 2023), ku pritet të vazhdohet me dhënien e fjalës përfundimtare nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tjerë.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit:

Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.