Një dokument që përfshin Stevan Paviçeviqin, shefin e organizatës së shpallur terroriste “Civilna Zastita”, është gjetur në automjetin Audi A6, përplot me arsenal armësh, e cila është kapur nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës në Zveçan, më 23 qershor 2023.
Kosovapress ka siguruar kopjen e këtij dokumenti, i cili dëshmon për shfrytëzimin e automjetit AUDI A6 me targa BG-955-JW, nga Paviçeviq që në vitin 2016.
Dokumenti është i tipit të fletë-udhëtimit, kur Paviçeviq, më 22.07.2016 e kishte plotësuar me dorëshkrim udhëtimin nga Mitrovica në qytetin e Çaçakut në Serbi. Dokumenti përmban edhe nënshkrimin e Paviçeviqit.
Dokumenti ka gjithashtu edhe vulën e komunës ilegale të të ashtuquajturit Kuvendit Komunal të Istogut, Osojan – Republika e Serbisë.
Përveç ekspozimit nga Policia e Kosovës të armëve dhe simboleve që ndërlidhen me organizatat e shpallura terroriste, Kosovapress ka mësuar se në automjetin Audi A6 me targa të Beogradit janë gjetur si prova edhe një varg të dhënash, që ndërlidhin një varg serbësh me furnizimin me armatim dhe me sulmet që janë bërë në komunat veriore muajin e fundit, si ndaj institucioneve të Kosovës, ashtu edhe ndaj KFOR-it dhe vetë serbëve lokalë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte akuzuar Serbinë për organizim terrorist, kurse më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste, dy formacione serbe që veprojnë në veri, “Civilna Zastita” dhe “Severna Brigada”.
Në anën tjetër, autoritetet serbe, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq e kanë quajtur rastin si fabrikim.
Edhe Lista Serbe, në një komunikatë për opinionin, më 30 qershor 2023, duke reaguar për shpalljen e “Civilna Zastita” dhe “Severna Brigada”, si organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, i ka quajtur këto organizata si inekzistente.
Historia e “Civilna Zastita”
Sipas të dhënave që Kosovapress ka siguruar, “Civilna Zastita” ka funksionuar në veri të Kosovës vazhdimisht, megjithëse, në vitin 2015, sipas marrëveshjeve që ishin ndërmjetësuar nga Brukseli, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo do të duhej të shuhej më 1 shtator 2015. Ndërkohë, punëtorët e “Civilna Zastita” më pas ishin integruar në institucionet e Kosovës – kryesisht në Policinë e Kosovës.
“Civilna Zastia” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Mirëpo, sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë, të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake dhe konsideroheshin shumë të rrezikshme për sigurinë e Kosovës.
Në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ky numër ishte rritur në mbi 750 në vitin 2013 dhe 2014.
Përveç se është pjesë e MPB-së së Serbisë, “Civilna Zastita” ka shënuar bashkëpunim të afërt edhe me Federatën e Rusisë.
Më 27 prill 2014, pikërisht Stevan Paviçeviq, si shef i “Civilna Zastita” dhe kryetari i tashëm i Listës Serbe, Goran Rakiq kishin pranuar 10 automjete si donacion nga Rusia, përkatësisht qendra e njohur nga Perëndimi si qendër spiunazhi, e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruso-Serbe”.
Pranim-dorëzimi ishte realizuar pikërisht në Nish, qytetin ku e ka selinë ende kjo qendër.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision televiziv në Serbi, një ditë pasi serbë kishin zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës në veri, më 6 nëntor 2022, kishte deklaruar se “tash gjithçka është në duart tona… Ku ta dimë, ndoshta duhet ta kthejmë Civilna Zastita”.