Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Stoltenberg i prerë: Mandati i KFOR-it i pathyeshëm, hapa të tjerë në Kosovë

Përshkallëzimi i tensioneve mes Kosovës e Serbisë ka qenë në fokusin e takimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit të OKB-së është i pathyeshëm”, tha shefi i aleancës më të madhe ushtarake të globit.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që mjedisi atje të jetë i sigurt dhe do t’u japim të gjithë të përfshirëve të njëjtin nivel sigurie. Nëse është e nevojshme do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, por do te vazhdojmë dialogun e nisur nga BE”, tha Stoltenberg.

Vetëm një ditë më parë, kreu i KFOR-it, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të heqin dorë nga retorikat e kota dhe t`i kthehen bisedimeve. “I bëj thirrje të dyja palëve të shmangin retorikën e panevojshme dhe ta përballojnë këtë sfidë duke u kthyer në tryezën e negociatave, e cila është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, deklaroi ai.

Edhe Brukseli pret “hapa të prekshëm” nga autoritetet në Prishtinë dhe Beograd për të reduktuar përshkallëzimin në Kosovë. Të hënën, zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, tha se kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ende nuk e kanë konfirmuar mbërritjen e tyre në Bruksel për “takimin e krizës”, në të cilin Borrell i ftoi për të gjetur një zgjidhje për krizën e fundit në veri të Kosovës dhe diskutojnë zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Peter Stano përmendi dy takime të ardhshme, duke përfshirë samitin e BE-së më 29-30 qershor, ku vendet anëtare të BE-së mund të diskutojnë masat kundër të dy palëve nëse nuk arrijnë të bashkëpunojnë.