Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Hungaria është pajtuar se nuk do ta bllokojë përkrahjen e aleancës për Ukrainën, por ka vendosur të mos ofrojë ushtarë apo fonde për ta ndihmuar vendin e rrënuar nga lufta.

Stoltenberg është takuar me vendet anëtare të NATO-s gjatë një turneu së voni në përpjekje për të grumbulluar mbështetje, para samitit të muajit të ardhshëm në Uashington, për zgjerimin e rolit të aleancës në përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

Hungaria ka pasur mosmarrëveshje me vendet e tjera të NATO-s për shkak se kryeministri i saj, Viktor Orban, ka ruajtur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtuesit rus.

“Hungaria nuk merr pjesë në këto përpjekje të NATO-s dhe unë e pranoj qëndrimin e saj”, tha Stoltenberg për gazetarë në Budapest, pas takimit me Orbanin më 12 qershor.

“Njëkohësisht, kryeministri më ka siguruar se Hungaria nuk do t’i kundërshtojë këto përpjekje, duke ua mundësuar aleatëve të tjerë të ecin përpara. Ai ka konfirmuar se Hungaria do të vazhdojë t’i plotësojë plotësisht detyrimet e veta në NATO”, shtoi ai.

Në të njëjtën konferencë për media, Orbani konfirmoi se Hungaria nuk do ta bllokojnë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet Ukrainës në shkurt 2022, Orbani ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, dhe e ka zemëruar Brukselin duke mos pranuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo ta lejojë, siç bëjnë vendet e tjera të NATO-s, dërgimin e armëve Ukrainës.

Qeveritë perëndimore janë të pakënaqura me marrëdhëniet e vazhdueshme të ngrohta të Orbanit me Moskën, si dhe me vonesat në ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, megjithëse Budapesti e dha pëlqimin për pranimin e saj në fund.

Hungaria i kishte kërkuar aleancës ushtarake që ajo të mos merrte pjesë në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, në shkëmbim të lejimit të marrjes së vendimeve, që do të thotë se nuk do ta përdorë veton.

NATO-ja i merr të gjitha vendimet e veta me konsensus.

NATO-ja synon ta krijojë një plan për t’i dhënë Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake në vitet në vijim, për ta zmbrapsur pushtimin rus, sepse forcat ruse, të armatosura më mirë, kanë kontrollin në fushëbetejë.

Aleanca do ta mbajë një samit muajin e ardhshëm në Uashington, ku liderët e saj synojnë ta finalizojnë planin./rel