Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për rolin e Rusisë dhe përpjekjet e Vladimir Putinit për të nxitur një konflikt të ri në Ballkan.
“Historia e politikave strategjike dhe gjeopolitike të Rusisë në Ballkan na mëson se dikur Petersburgu dhe prej më shumë se një shekull, Moska, kanë shënjstruar si pikë strategjike të ndikimit të tyre pikërisht Ballkanin. Që prej kohës së Pjetrit Madh në shekullin e 18-të e deri më sot kështu është vepruar. Dy kanë qenë shtyllat e përçimit të energjisë ruse në rajonin tonë. E para lidhet me origjinën sllave të shumicës së popullsisë ballkanike. E dyta lidhet me përkatësinë religjioze ortodokse të të gjithë sllavëve të Ballkanit plus grekëve. Por pas Luftës së Dytë Botërore, si rezultat i krijimit të lidhjeve greke me Perëndimin, sidomos Britaninë e Madhe, ndikimi i religjionit është dobësuar disi”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, Vladimir Putin është ndër të paktët udhëheqës rusë që ndjek me fanatizëm vijën tradicionale të carëve dhe liderëve bolshevikë komunistë të bazuar në përkatësinë e kulturës sllave dhe ortodokse.
Profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Strategjia e “Botës ruse”, sipas Aleksandër Dugin, lidhet drejtpërdrejt me kulturën sllave. Dugin është ideologu i politikave të Vladimir Putin. Ai ka hartuar një projekt doktrinar e ideologjik të kohës së sotme, me të cilin Ballkanin e banuar prej sllavëve e vendos në qendër të influencave ruse e madje të asocuar me “Botën ruse”! Është praktikë e njohur, sidomos për Fuqitë e Mëdha tradicionale si Rusia, që në fillim hartohet doktrina. Më pas ideohen sloganet e logot. Dhe në fund projektohen veprimtaritë politike diversionet e provokative me qëllim shtrirjen e ndikimit në rajone të caktuara. Të tri këto elementë janë të gatshme në Rusinë putiniste sa i përket Evropës Lindore dhe asaj Juglindore, ku bën pjesë edhe Ballkani”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, përmendën tri nivelet e ndikimit, në rrafshin doktrinar dhe ideologjik, në rrafshin politik dhe atë kulturor.
“Në të tri këto nivele Kremlini ka një projekt të hershëm për ta mbajtur Ballkanin nën sundimin e influencës së tij. Tradicionalisht dhe historikisht njihen edhe ambiciet e tij. Ambicia kryesore është që Rusia të ketë një dalje në Adriatik. Pra të ketë një ose dy hapësira portuale detare përballë Evropës Perëndimore. Këto Rusia i përdor jo thjesht për tregti, por më së shumti për diversion suhtarak. Për të ngritur baza ushtarake. Ndoshta dhe me armë bërthamore. Tivari, ose Bari, siç i thonë serbët dhe malazezët, është më i përshtatshmi për ta. Edhe më i mundshmi. Jo më kot në vitin 2015 ndodhi horrori i tentativës për vrasje e masakër kundër Milo Gjukanoviçit në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Ishin agjentët rusë ata që drejtuan operacionin e asaj kohe të terrorit”, thekson Bytyçi.
”Ndërkaq në Serbi, në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë janë politikanë të njohur, të deklaruar si aleatë të ngushtë të Rusisë. Të gjithë këta janë të etnisë serbe. Edhe këta i përgjigjen vokacionit të Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin, sepse ndjehen vëllezër të rusëve. Me këtë lloj vokacioni të shumicës dërmuese të serbëve në Serbi, Republikën Srpska të BH, në Mal të Zi, në Kosovë a Maqedoninë e Veriut nuk pritet së paku në një periudhë afatmesme që të ndryshojë prezenca ruse në Ballkan. Aktiviteti agresiv i shërbimeve sekrete ruse në Ballkan ushqehet, mbahet gjallë dhe zhvillohet përmes kanaleve serbe dhe të autoriteteve serbe në shtetet ballkanike. Milorad Dodik, Aleksandër Vulin, Ivica Daçiq e të tjerë liderë dhe autoritete serbe janë të deklaruar hapur pro “Botës Ruse”. Ata janë frymëzuar nga kjo teori kur shpallën “Botën Serbe”! Dhe projekti i botës serbe ka shumë mundësi të shpallet në fillim të muajit maj. Së paku Dodik e ka paralajmëruar këtë fakt”, shpjegon profesor Bytyçi.
Siç thotë Bytyçi, ka edhe disa politikanë shqiptarë në shërbimet që ata u bëjnë fshehtas shërbimeve sekrete në Serbi dhe në Rusi.
“Përpjekjet e Perëndimit, përkatësisht SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe BE-së për të zëvendësuar rolin e Rusisë në Ballkan ndeshin në një rezistencë të modelit të kohës së Milosheviçit në Serbi e akoma më shumë në Republikës Srpska, te partitë politike pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi e në Kosovë, si dhe të politikanë të caktuar maqedonas në Shkup. Kjo është e njohur. E panjohur është se sa janë implikuar disa politikanë shqiptarë në shërbimet që ata u bëjnë fshehtas shërbimeve sekrete në Serbi dhe në Rusi. Po të ndjekësh lajmet e TV Klan të paktën në Shqipëri sheh në përditshmëri se çdo ditë lajmi i parë atakon Albin Kurtin, pas këtij lajmi vjen njoftimi p.sh se “Macron dhe Rama kërcënuan Kosovën me bllokimin e liberalizimin e vizave, nëse nuk krijohet asociacioni serb”! Ose sot ishte lajmi tjetër se “Vuçiq po shkon të takojë Macron për të bllokuar pranimin e Kosovës në KiE”! Gati me entusizëm lexohen lajmet e sfidave që Vuçiq dhe Rama i bëjnë Kosovës. E gjitha lyhet me intrigën e adresimit kundër qeverisë Kurti. Se nuk e thonë dot hapur se janë kundër integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës”, thotë profesor Bytyçi.
Për fund, Bytyçi shprehet se strehë e televizioneve pro-qeveritare janë bërë analistë dhe opinionistë pro-serbë.
“Nuk ka njeri që nuk i dallon nuancat pro-ruse dhe pro-serbe në lajmet e këtij dhe disa TV-ve të tjera. Kjo sepse kësisoj janë këshilluar ose urdhëruar të bëjnë nga padronët e politikës. Ndoshta edhe nga shërbimet sekrete. Strehë e televizioneve pro-qeveritare janë bërë analistë dhe opinionistë pro-serbë. Po kështu në TV e Kosovës të investuara kundër zotit Kurti. Tani ka një gjë: – Ose zoti Kurti, i cili kundërshton ndikimin rus e serb në Kosovë bën lojë, ose këta që i kundërvihen Kurtit dhe ushqejnë simpati për lëvizjet anti-Kosovë të Aleksandër Vuçiq e të Edi Ramës janë pro-serbë e pro-rusë! Publiku është i aftë të gjykojë dhe arsyetojë. Të shohë dhe të nuhasë se cila është e vërteta. Për mua, ata që bëhen palë me politikat e Beogradit kundër qeverisë së Kosovës janë pro-serbë, për pasojë edhe pro-rusë! Pro-rusët dallohen edhe nga një formë tjetër paraqitjeje. Ata këto kohë favorizohen në ekrane, sepse dalin e thonë se “Ukraina e ka humbur luftën kundër Rusisë”! Eshtë kjo një përpjekje për të kapitulluar para Rusisë dhe Vladimir Putin”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.