Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Strukturat kriminale në veri nuk mund të luftohen pa inteligjencë”

 
   

Pas hedhjes së dy granatave në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan, ish-zyrtarë të sigurisë kanë theksuar se për parandalimin e sulmeve të tilla, Policia e Kosovës duhet të mbështetet në inteligjencë.

Ish-koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani, në FIVE të Dukagjinit, ka deklaruar se thjesht shtimi i pranisë policore nuk mjafton për të parandaluar veprime të tilla kriminale, sidomos në zona si veriu i vendit.

“Vetëm me shtimin e Policisë në ato zona nuk ka gjasa, apo janë në minimumit, që të parandalohen apo të nxinen veprat. Aty kryekëput, për këtë zonë të veriut dhe zona të ngjashme, ku ka tensione etnike, grupe kriminale, e vetmja rrugë që e bën të efektshëm korpusin e masave hetimore që i merr policia e prokuroria është përmes prezencë dhe inteligjencës. Mbledhjes së informacionit përmes burimeve të hapura, mbyllura, përmes bashkëpunëtorëve që instalohen atje. Këto janë metoda të veçanta, dhe mund të përdoren masat. Këto vepra kriminale planifikohen në një fshehtësi të madhe”, ka thënë Sylejmani.

Në të njëjtën linjë, ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkelzen Sopjani, ka theksuar rëndësinë e strukturave të inteligjencës në këtë proces.

Sipas tij, inteligjenca humane (HUMINT) është thelbësore në veri.

“Është shumë me rëndësi që të gjitha strukturat të jenë prezentë, jo vetëm Policia. pasi përveç luftimit, parandalimi është shumë më i rëndësishëm. Këtu hyn në funksion inteligjenca, qoftë ajo përmes sinjaleve qoftë ajo përmes njerëzve. Në këtë rast në të pjesë të veriut të zhvillohet inteligjenca humane, apo humite. Pasi që është pak e vështirë mbulimi i terrenit me inteligjencë të sinjaleve. Pra është shumë me rëdnsi që institucionet e sigurisë, me theks të veçantë inteligjenca por edhe inteligjenca e Policisë të jenë më aktive në zhvillimin dhe në mirëmbajtjen e burimeve të informacionit ne atë pjesë. Vetëm kështu Policia do të ishte me e suksesshme”, ka theksuar Sopjani.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar këtë sulm si një akt me “elemente terroriste”, duke e ndërlidhur atë me strukturat kriminale të lidhura me Milan Radoiçiqin dhe duke akuzuar Serbinë për strehimin dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime destabilizuese.

Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa rasti është klasifikuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.