Etika e tij e punës dhe aftësia e tij që të flasë në gjuhën lokale, i ka mundësuar Aysarit – që nuk është emri i tij i vërtetë – të ketë shumë dashamirës në një spital në Bullgari, ku ai shpesh bën punë vullnetare.
Por, jo të gjithë si duket janë kaq dashamirës. Aysar tha se disa pjesëtarë të stafit në këtë spital, ku ai punon gjatë pushimit nga studimet e tij të mjekësisë, ia kanë bërë të qartë se ai nuk është i mirëpritur.
“Është racizëm. E kam parë se si [kjo kolege] trajton studentët bullgarë dhe studentët e bardhë të huaj dhe si ajo më trajton mua”, tha Aysar për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë. Ai u lind në Gjermani nga prindër pakistanezë, por shumicën e jetës së tij e ka kaluar në Britani.
Aysar është një prej mijëra të huajve që tani studiojnë në universitete në Bullgari. Pagesat që ata paguajnë rrisin fondet e shtetit për sistemin e arsimit. Megjithatë, sulmet e fundit ndaj studentëve të huaj vënë në pah atë që aktivistët thanë se ishte rritje e ksenofobisë në Bullgari.
Disa nga sulmet janë nxitur nga shpërndarja e dezinformatave në rrjetet sociale, përfshirë edhe disa pretendime të pabaza, të përhapura së fundi, që thonë se Bullgaria është në prag të një vale të emigrantëve të jashtëligjshëm.
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me studentët. Ka të bëjë me ksenofobinë e shfaqur në shoqëri dhe dhunën në rrugë, qoftë verbale apo fizike”, tha për REL-in, Iliana Savova, drejtoreshë e programit të refugjatëve në Komitetin bullgar të Helsinikit, një organizatë joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese në një shoqëri evropiane në shekullin 21 që ne ende jemi dëshmitarë të krimeve të tilla të urrejtjes. Dhe, është më shqetësuese se ato janë të nxitura politikisht”, tha Bistra Ivanova, kryesuese e Kolektivit Multikulturor, një organizatë kyçe joqeveritare në Bullgari që punon për integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve.
Racizmi ka pllakosur Bullgarinë, siç mund të dëshmojë komuniteti i madh rumun që gjendet në këtë shtet, i nxitur shpesh nga partitë nacionaliste dhe ksenofobe dhe nga mediat e lidhura me to.
Por, Sofja po ashtu ka ndërmarrë hapa për të luftuar këtë. Në korrik të vitit 2023, Asambleja Kombëtare bullgare – Parlamenti i shtetit – miratoi amendamente të reja në Kodin Penal, që parasheh dënime më të ashpra për krimet që vlerësohet se kanë për bazë motive raciste apo ksenofobe./rel