Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës ka marrë vendim për pezullim nga puna të profesorit të UP-së, Xhevat Krasniqi, i cili po akuzohet nga disa studente për ngacmim seksual.
Anita Gashi nga Lëvizja Feministe Studentore ka reaguar pas këtij vendimi, duke thënë se i njëjti është i papranueshëm dhe paraqet ikje nga përgjegjësia.
“Ky vendim është i papranueshëm për ne dhe është ikje nga përgjegjësia, rrjedhimisht thërrasim të gjithë studentet e studentët bashkë me stafin akademik që të na bashkohen. Ne nuk do të ndalemi, rezistenca është e përbashkët”.
“Ne e kemi thënë që nëse nuk merret vendimi për përjashtimin e Krasniqit nga UP-ja, rezistenca jonë do të përshkallëzohet”, tha Gashi.
Tutje, ajo tha se sot Universiteti i Prishtinës e humbi mundësinë që të vendosë një precedent të rëndësishëm për konstatim të ngacmimit seksual dhe caktimin e masave ndaj ngacmuesve.
“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës, jo në baza të akuzave kundër UP-së por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë të ngacmuesve, dhe e tregoi fytyrën e vërtetë”, tha ajo.