Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, u sfidua nga Leart Ajvazaj, një student i Kosovës në Universitetin e Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar, derisa ishte i ftuar të flasë në Dhomën e Debatit të Cambridge Union.
Ai e përballi me disa fakte Jeremiqin i cili kishte qenë duke folur për kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq, si një “diktator i çmendur” që kishte pasë Serbia.
Por, Ajvazaj i vuri në dukje se Serbia e sotme nuk dallon nga Serbia e Millosheviqit dhe se të njëjtën narrativë e vazhdon edhe ish-ministri i Propagandës, presidenti i sotëm Vuçiq.
Ajvazaj përmendi edhe vrasjen e 13 mijë civilëve në vitet 98/99, përdhunimin e mijëra grave dhe zhvendosjen me forcë të një milion shqiptarë jashtë shtëpive të tyre, përfshirë edhe familjen e tij.
“Në këtë muaj [janar] shënohet 25 vjetori që kur 45 shqiptarë janë marrë nga shtëpitë e tyre në fshatin e vogël të Reçakut dhe janë vrarë nga trupat serbe. Në Serbi kjo sot konsiderohet teori konspirative dhe ky është qëndrimi i shtetit serb – i njëjti shtet në të cilin keni shërbyer. I njëjti shtet që ka vrarë 13 mijë civilë në vitet 98/99, përdhunoi mijëra gra dhe me forcë zhvendosi një milion shqiptarë jashtë shtëpive të tyre, përfshirë edhe familjen time. Unë s’kam dëgjuar asnjë falje nga shteti serb, ju s’e keni përmendur këtë gjatë kohës sa keni shërbyer si ministër i jashtëm dhe ju flisni për Millosheviqin, si një përvijues i madh, oh ai ishte diktator i çmendur, ai ishte Sadami ynë. Tani nuk kemi diçka të tillë. Epo, kjo qartësisht s’është e vërtetë. Nëse shikoni Serbinë më parë Millosheviqit për aq sa Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia, këto plane të shfarosjes së shqiptarëve kanë ekzistuar. Lexo Çubriloviq, lexo Andriqin dhe nëse e shikon Serbinë që nga Millosheviqi, që kur ai vrau veten e tij… ju keni pasur lloj-lloj nacionalistësh në modë që thonë se ‘ne nuk e duam Millosheviqin’, por nxjerrin budallallëqe për Kosovën dhe më pas keni njerëz si ai që ka drejtuar qeverinë në 10 vitet e fundit, i cili fjalë për fjalë është dishepull i Millosheviqit, ai që ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit. Më falni, por kjo është thjesht qesharake”, tha Ajvazaj kur mori fjalën.