Jetëgjatësia e njeriut do të rritet me gati 5 vjet deri në vitin 2050, raportoi revista shkencore “Lancet”. Për burrat do të rritet nga 71.1 në 76 vjeç, dhe për gratë nga 76.2 në 80.5 vjet.
Rritja më e madhe pritet në vendet ku jetëgjatësia është aktualisht më e ulët. Tendenca është kryesisht rezultat i masave të shëndetit publik që kanë përmirësuar normat e mbijetesës nga sëmundjet kardiovaskulare, Covid-19 dhe një sërë sëmundjesh infektive, si dhe sëmundjet e nënës, të porsalindurit dhe të ushqyerit, thonë ekspertët.
Jetëgjatësia totale e njerëzve parashikohet të rritet nga 73.6 vjet në 2022 në rreth 78.1 vjet në 2050, një rritje prej 4.5 vjetësh.
Megjithëse jetëgjatësia në mbarë botën parashikohet të rritet deri në vitin 2050, progresi është më i ngadalshëm se në tre shekujt e mëparshëm. Hulumtimet tregojnë se tendencat aktuale në sëmundjet jo të transmetueshme, si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe diabeti, si dhe ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut që lidhen me sëmundjet jo të transmetueshme, si obeziteti, presioni i lartë i gjakut, dieta e pashëndetshme dhe pirja e duhanit, kanë ndikim në problemet shëndetësore të brezit të ardhshëm.
Zgjatja e jetës nuk shoqërohet me zgjatjen e shëndetit në të njëjtën masë. Numri mesatar i viteve që një person mund të presë të kalojë me shëndet të mirë do të rritet nga 64.8 vjet në 2022 në 67.4 vjet në 2050, një rritje prej vetëm 2.6 vjetësh.
Edhe pse më shumë njerëz pritet të jetojnë më gjatë, ata gjithashtu pritet të kalojnë më shumë vite me shëndet të dobët. Numri total i viteve të humbura për shkak të shëndetit të keq dhe vdekjeve të hershme që i atribuohen faktorëve të rrezikut metabolik si presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë në gjak dhe indeksi i lartë i masës trupore është rritur me gati 50 për qind që nga viti 2000.