Mishi i laboratorit është konsideruar nga shumë njerëz vitet e fundit si e ardhmja e ushqimit. Megjithatë, një grup shkencëtarësh, në një studim të botuar javën e kaluar në revistën Scientific Reports, vlerëson se mishi i pitonit ka elementë të qëndrueshëm, por edhe ushqyes.
Ndërsa ndryshimi i klimës kërcënon sigurinë globale të ushqimit, kultivimi i pitonëve mund të jetë një mënyrë potenciale për të prodhuar një burim proteinash me një gjurmë relativisht të vogël mjedisore , raportojnë studiuesit.
“Ne po shterojmë burimet ndërsa në të njëjtën kohë kërkesa për lëndë ushqyese me cilësi të lartë po rritet,” thotë autori i studimit Patrick Aust i organizatës jofitimprurëse People for Ëildlife.
Mishi i gjarprit tashmë konsumohet në disa pjesë të botës, duke përfshirë pjesë të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë. Në Hong Kong, për shembull, supa me gjarpër është një pjatë e njohur, veçanërisht gjatë dimrit. Tregues i rritjes së konsumit është se për të plotësuar kërkesën në vitet e fundit janë shfaqur ferma që prodhojnë mish pitoni.
“Mishi i zvarranikëve nuk është i ndryshëm nga mishi i pulës: i pasur me proteina, i ulët në yndyrë të ngopur dhe tërheqës në kuzhinë ”, shkruajnë shkencëtarët.
Në kërkimin e tyre, shkencëtarët u përpoqën të zbulonin se si pitoni i kultivuar krahasohet me speciet e tjera të kafshëve të kultivuara. Për shembull, sa ushqim duhet të hanë pitonët për të prodhuar një kilogram mish.
Pas studimit të më shumë se 4,600 pitonëve rrjetë në fermat komerciale në Vietnam dhe Tajlandë , ata zbuluan se gjarpërinjtë kishin një raport më efikas të prodhimit të ushqimit sesa salmoni, derrat, lopët, pulat dhe kriketat. Gjarpërinjtë kaluan për periudha të gjata kohore pa ngrënë, por nuk humbën shumë nga masa e tyre trupore dhe kishin nevojë për shumë pak ujë.
“Teorikisht, thjesht mund të ndaloni së ushqyeri pitonët për një vit, ” thotë bashkëautori i studimit Daniel Natus nga Universiteti Macquarie në Australi.
Fakti që pitonët mund të mbijetojnë pa ushqim për periudha të gjata kohore pa pasoja të dukshme mund t’i ndihmojë fermerët të kompensojnë ndërprerjet e ardhshme të zinxhirit të furnizimit, të cilat po bëhen më të zakonshme mes ndryshimeve klimatike./vizionplus.tv/