Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Studimi/ Në cilën moshë njerëzit ndihen më të lumtur

Me kalimin e kohës, dihet që pjekuria është një nga standardet që “vulos” shumë vendime në jetë, por lumturia duket se ka një moshë të caktuar kur arrin kulmin.

Hulumtimet tregojnë se sa më shumë të rriteni, aq më të sigurt dhe më të kënaqur ndiheni. Personat në të 60-tat e tyre kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur dhe të sigurt në vetvete. Por, cili është sekreti? Në fakt, nuk ka një përgjigje të vetme, por disa faktorë që ndikojnë te lumturia.

Në këtë moshë ka më shumë maturi dhe mençuri

Ky është rasti kur mendja përmirësohet me moshën. Të dhënat e publikuar në “National Institute of Mental Health”, tregojnë se njerëzit e moshës 18-25 vjeç kanë shkallë më të lartë depresioni. Ndonëse pandemia rriti normat e stresit në të gjithë botën, përfshirë edhe të moshuarit, personat mbi 50 vjeç kanë treguar normat më të ulëta të depresionit.

Në një studim të vitit 2016, i publikuar në “Journal of Clinical Psychiatry” studiuesit anketuan më shumë se 1500 njerëz të të gjitha moshave për shëndetin fizik, mendor dhe aftësitë njohëse. Ata zbuluan se ata në të 20-at dhe 30-at, raportuan nivele më të ulëta të lumturisë krahasuar me të moshuarit. Dilip Jeste, psikiatër, tha për “Times” se kjo ndodh sepse ju jeni në gjendje të largoni streset e përditshme kur jeni më të moshuar, gjë që shton edhe më shumë lumturinë.

Me kalimin e viteve, jeta bëhet më e sigurt

Vitet e gjimnazit apo mosha 20 vjeç janë si më të trazuara, njëherësh edhe më të vështirat. Një punim i vitit 2018-të, i botuar në revistën “Psychology Bulletin”, zbuloi se vetëbesimi arrin kulmin rreth moshës 60 vjeç, për shkak të një mjedisi më të qëndrueshëm. Në këtë moshë, ju keni krijuar marrëdhënie të qëndrueshme, keni një punë të mirë ose keni ndihmuar fëmijët tuaj të rriten të lumtur dhe me vetëbesim.

-Kur je më i/e moshuar, lumturia do të thotë të jesh i/e kënaqur me atë që ke

Me fjalë të tjera, kjo është faza e jetës ku pajtoheni me shprehjen: “Të mos kesh atë që do dhe të duash atë që ke!”. Një studim zbuloi se pjesëmarrësit më të rinj në moshë kishin më shumë gjasa ta përshkruanin lumturinë si momente ekstimi. Teksa, më të moshuarit ndiheshin të lumtur kur ishin të qetë ose të përmbushur.

Truri reagon më pak ndaj përgjigjeve emocionale negative me kalimin e moshës

Studimi i një imazhi truri, ka zbuluar se personat në moshë kishin aktivitet më të reduktuar në zonën e trurit që përgjigjet emocionalisht ndaj stresit dhe imazheve negative. Ndërsa, të rinjtë u shfaqën më impulsivë në reagimet e tyre ndaj këtyre emocioneve.

Pra, e vërteta e thjeshtë është se çdokush mund të rrisë ndjenjën e kënaqësisë ose vetëbesimit. Mosha nuk dikton domosdoshmërisht se sa të lumtur jeni, por zakonet tuaja të përditshme, po. /Anabel Magazine/