Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Stuhi masive të borës në Kaliforni dhe Nevada

Pjesë të Kalifornisë dhe Nevadas janë goditur nga stuhi masive të borës . Si pasojë, dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre pa energji elektrike, ndërsa rrugët kryesore në vend janë mbyllur.

Një stuhi masive ka goditur të dielën pjesë të Kalifornisë dhe Nevadas në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Stuhia e borës ka mbyllur rrugët kryesore, resortet e skijimit dhe dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre.

Adele Attix, një banore e Truckee në Kaliforni thotë se u detyrua ta mbyllte dyqanin e saj të veshjeve derisa të përmirësohej moti.

“Kjo situatë është shumë stresuese për ne. Burri im e kaloi gjithë mëngjesin duke pastruar rrugën tonë, dhe unë mendova të shkoja ta kontrolloja dyqanin. Këto ditë janë padyshim shumë të ngarkuara për ne sepse do të mbesim pa të ardhura. Por më mirë është të jemi të sigurt tani për tani”, shprehet ajo, raporton AP, përcjell Teve1.

Raportohet se stuhia veçanërisht është e rëndë në rajonin e Sierra Nevadas, ku erërat kanë arritur shpejtësi deri 305 kilometra në orë.

Autoritetet atje po u bëjnë thirrje njerëzve të strehohen dhe të qëndrojnë larg rrugëve sepse meteorologët kanë parashikuar se më shumë se 10 metra borë do të bjerë në lartësi më të larta.

Ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar edhe për “një rrezik të lartë nga ortekët e borës” në ato zona, duke përfshirë edhe zonën më të madhe të liqenit Tahoe.

Raportohet se rreth 30 mijë persona në Nevada dhe 24 mijë në Kaliforni kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë.