Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca për caktimin e lartësisë së dënimit në rastin “Subvencionet 4”, ku po akuzohen Gjon Musolli dhe Halit Berisha.
Fillimisht, përfaqësuesja e Shërbimit Sprovues të Pejës, Ardita Lubeniqi-Haxhiaj u deklarua se qëndron në tërësi pranë raportit parandëshkues për të akuzuarin Musolli, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.
Ajo tha se shqiptimi i dënimit alternativ do të arrij qëllimin për parandalimin e kryerjes së ndonjë vepre penale, kurse sa i përket llojit të dënimit, ia ka lënë në diskrecion gjykatës.
Po ashtu, edhe përfaqësuesja e Shërbimit Sprovues të Ferizajit, Florije Rexhepi ka qëndruar pranë raportit parandëshkues duke propozuar që ndaj të akuzuarit Berisha të shqiptohet dënim alternativ, urdhër me dobi të përgjithshme apo dënim me kusht.
Në anën tjetër, prokurori special Rafet Halimi ka renditur masat lehtësuese dhe rënduese për të dy të akuzuarit.
Ai tha se dy të akuzuarit që nga fillimi i procedurës penale kanë pranuar kryerjen e veprës penale dhe kanë qenë bashkëpunues në organet e zbatimit të ligjit.
Kurse, si rrethana rënduese ai ka përmendur vlerën e lartë të ryshfetit e cila i është dhënë zyrtarëve dhe vlerën e lartë të përfitimit të tyre në mënyrë të kundërligjshme.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Musolli, avokati Etnik Maloku ka kërkuar që lartësia e dënimit të bëhet konform dispozitave të nenit 69 dhe 70 të Kodit Penal në atë mënyrë që të merren parasysh rrethanat lehtësuese.
I njëjti ka propozuar që gjykata vazhdimisht të ketë parasysh faktin se i mbrojturi i tij në vazhdimësi ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, ka pranuar fajësinë dhe ka treguar gatishmëri për bashkëpunim vullnetar në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues në prokurorinë e shtetit.
Avokati Maloku ka konsideruar se me një dënim më të ulët se minimumi i posaçëm i veprave penale, do të arrihet qëllimi i dënimit e që është rehabilitimi e jondëshkimi.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Admir Salihu ka mbështetur raportin parandëshkues, rekomandimi i të cilit tha se do të ishte i pranueshëm për të dhe për të mbrojturin e tij.
Ai tha se pendimi i të mbrojturit të tij është real dhe i vërtetë dhe jo vetëm si veprim por i njëjti edhe pasojat e atij pendimi e veprimi është duke i paguar edhe në aspektin financiar, profesional e moral.
Si rezultat i kësaj, avokati Salihu tha se kanë bërë marrëveshje me prokurorin e shtetit duke i ndihmuar prokurorit që në çështjen e kësaj vepre penale, të zbulohen edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë.
Ai ka propozuar që gjykata gjatë matjes së dënimit të ketë parasysh nenin 69, ndërsa sa i përket zbutjes së dënimit të ketë parasysh nenin 71 të KPRK-së.
Kurse, të akuzuarit Musolli dhe Berisha kanë përkrahur mbrojtësit e tyre.
Paraprakisht në këtë seancë, gjykatësi Mentor Bajraktari bëri të ditur se gjykata sipas detyrës zyrtare ka nxjerrë të kaluarën kriminale për të akuzuarit.
Ai tha se nga të dhënat e marrura shihet se ndaj të akuzuarit Musolli është shqiptuar një vërejtje gjyqësore në vitin 2023, nga Gjykata e Pejës, kurse për të pandehurin Berisha tha se nuk ka të dhëna se ka qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Subvencionet 4”, të akuzuarit Halit Berisha dhe Gjon Musolli i ka shpallur fajtorë, më datë 16 shkurt 2024.
Berisha dhe Musolli akuzoheshin për veprat penale “Dhënia e ryshfetit dhe Mashtrim me subvencione”, ku i fundit akuzohej se këto dy vepra penal i kishte kryer në vazhdimësi.
Ndryshe të akuzuarit tjerë në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdari, për të cilët vijon procesi gjyqësor.
Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se me të njëjtën datë, Gjon Musolli aplikon për subvencione në Komunën e Istogut në emër të familjarit tjetër, Luigj Musollajt. Ndonëse edhe ky aplikim ishte i kundërligjshëm, pas fitimit të subvencioneve, aktakuza shkruan se Hasan Maxharraj merr ryshfet nga Gjon Musolli në vlerë të 7 mijë eurove.
Në pikën tjetër të kësaj aktakuze, thuhet se Gjon Musolli kishte përgatitur dokumentacion për të aplikuar për subvencione në emër të familjarit Leonard Musollaj dhe të pandehurit Hasan Maxharraj i kërkon që të ndryshojë kërkesat në formularin për aplikim duke plotësuar të dhëna të pasakta në këmbim që t’i jepet ryshfet gjysma e përfitimit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, dy të pandehurit paraqesin të dhëna të pasakta kinse ka kulturë bimë mjekësore dhe aromatike dhe përfiton subvencion 7 mijë e 537 euro, ndërsa këstin e dytë nuk e aprovon Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, kështu duke mos u realizuar tërësisht marrëveshja për ryshfet.
Pika e dytë e aktakuzës, thotë se i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror nga Gjon Musolli që të ushtrojë ndikim të zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë që t’i përshpejtojë pagesat dhe parat e subvencioneve t’i aprovohen.
Pas aprovimit të pagesave, aktakuza e ngarkon Hasan Maxharraj se ka pranuar 2000 euro ryshfet nga Gjon Musolli në dyqanin e tij në Istog.
Aktakuza thotë se nga periudha 3 shkurt 2021 deri më 10 shkurt 20212 në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, të pandehurit Luan Statovci si drejtor për Pagesa Direkte dhe Berat Nika, zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, pranojnë ryshfet nga Halit Berisha përmes Pajtim Krasniqit që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Halit Berisha dhe Pajtim Krasniqi kishin aplikuar për subvencione më të dhëna të pasakta dhe Berat Nika kërkon dhe pranon ryshfet në vlerë të 7 mijë eurove pasi dy të lartcekurve t’i aprovohen pagesat.
Prokuroria pretendon se pas vendimit për pjesën e dytë të ekzekutimit të pagesave, Pajtim Krasniqi i jep ryshfet 5000 euro Berat Nikës të cilat i ndan përgjysmë me Luan Statovcin. Ndërsa për pjesën tjetër, Berat Nika pranon 2 mijë euro ryshfet te banesa e tij nga Pajtim Krasniqi, të cilat i ndan me Luan Statovcin po ashtu.
Akti akuzues thotë se në periudhën 13 nëntor 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë, Luan Statovci me Sadat Shkodrën, i cili ishte zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi kërkojnë ryshfet nga Visar Krasniqi, që të veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare.
Sipas PSRK-së, Visar Krasniqi kishte aplikuar për subvencione, mirëpo me arsyetimin se kinse dokumentet nuk janë në rregull, Luan Statovci në mënyrë të tërthortë i kërkon ryshfet ndërsa Sadat Shkodra e bën një gjë të tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Aty shkruan se pas kësaj, Sadat Shkodra takohet me një familjar të Visar Krasniqit dhe kërkon 30 mijë euro ryshfet për t’iu kryer lënda.
Ndërsa, për të pandehurin Lulzim Hajdaraj, aktakuza thotë se më 6 dhjetor 2020 si inspektor teknik pranon ryshfet nga Gjon Musolli që të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare. Gjatë kontrollit të aplikimit për subvencione në emër të Leonard Musollaj, sipas aktakuzës i pandehuri Lulzim Hajdaraj së bashku me kolegun e tij, Blerim Mulliqi gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike teren. Dy zyrtarët ngarkohet se hartojnë rrejshëm raportin kinse gjendja është në rregull dhe pranojnë 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli të cilat edhe i ndajnë.
Aktakuza e ngritur nga PSRK-ja thotë se Musa Nikovazi si inspektor teknik së bashku me kolegun e tij Bajram Gashin më 6 tetor 20220 kanë kryer kontrolle në lëndën ku aplikimi për subvencione ishte bërë në emër të Eduard Musollajt dhe gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike me terrenin. Sipas akuzës, ata kishin gjetur se prona e paraqitur në aplikacion ishte e Komunës së Istogut.
Kështu, derisa i pandehuri Bajram Gashi qëndronte në veturë, Lulzim Hajdaraj ngarkohet se ka pranuar 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen si në rregull.
Po ashtu, thuhet se edhe gjatë inspektimit në lëndën në emër të Luigj Musollajt, të pandehurit Musa Nikovazi dhe Bajram Gashi vërejnë se prona e paraqitur në lëndë ishte e Komunës së Istogut dhe Kooperativës së Dubravës. Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se kanë pranuar 500 euro ryshfet nga i pandehuri Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen në rregull.
Me këto veprime sipas aktakuzës, Gjon Musolli përfiton në mënyrë të kundërligjshme në lëndën në emër të Luigj Musollajt subvencion në vlerë të 4 mijë e 500 eurove dhe subvencion në vlerë të 12 mijë e 600 eurove në lëndën në emër të Eduard Musollajt.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku ngarkohen se kanë kryer veprat penale “marrje ryshfeti”, “ushtrim ndikimi”, “mashtrim në detyrë”, “ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti”, si dhe “mashtrim me subvencione”.