Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Suedia hyn zyrtarisht në NATO – goditje strategjike për Rusinë

Vendi nordik është tashmë zyrtarisht anëtar i aleancës ushtarake perëndimore.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka qenë sot në Uashington për të dorëzuar dokumentet përfundimtare për këtë çështje.

Kjo do të thotë se nëse sulmohet shteti suedez, anëtarët e tjerë të aleancës do të jenë të detyruar ta mbrojnë atë, shkruan skynews.

Duke folur pas pranimit të Suedisë, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha se “aleanca e NATO-s është tani më e fortë dhe më e madhe se kurrë”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e cilësoi vendimin si “historik”.

“Pas mbi 200 vitesh mosangazhim, Suedia tani gëzon mbrojtjen e dhënë sipas nenit 5, garancia përfundimtare e lirisë dhe sigurisë së aleatëve”, shkroi Stoltenberg në platformën X.

“Suedia sjell me vete forca të armatosura të afta dhe një industri të mbrojtjes të klasit të parë. Pranimi i Suedisë e bën NATO-n më të fortë, Suedinë dhe të gjithë Aleancën më të sigurt”, shtoi ai.

Ndryshe, një ceremoni e ngritjes së flamurit është planifikuar në selinë e aleancës në Bruksel të hënën për të shënuar ceremonialisht pranimin, shkruan politico.

Fqinja e Suedisë, Finlanda iu bashkua aleancës më 4 prill. Me dy vendet nordike në aleancë, NATO kontrollon pothuajse të gjithë Detin Baltik – një goditje strategjike për Rusinë.

Suedia ka gjithashtu një ushtri të pajisur mirë dhe një industri të fortë armësh. Vendi synon të shpenzojë 2.1 për qind të GJDP-së për mbrojtjen këtë vit, mbi objektivin e NATO-s dhe pothuajse dyfishin e asaj që shpenzonte deri në vitin 2020.